DYLON

PDK kundër formës që ka zgjedhur Komuna për t’i mbledhur borxhet e tatimit në pronë me përmbarues

PDK kundër formës që ka zgjedhur Komuna për t’i mbledhur borxhet e tatimit në pronë me përmbarues
Avatar photo Redaksia

“Paralajmërimi i Drejtorisë së Buxhetit në Gjilanit, për nxjerrjen e borxheve të tatimit të pronës përmes përmbaruesit, është diçka mes kanosjes dhe shantazhit. Është gjithashtu mospërfillëse për gjendjen ekonomike dhe për qytetarët, si dhe mungesë kreativiteti menaxherial për të gjetur forma të tjera për ta arritur këtë objektiv”.

LEXO EDHE: Gjilani u jep 15 ditë afat borxhlinjve të tatimit në pronë, pason procedura përmes përmbaruesve privat

Kështu shprehet, Riza Abdyli, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, sipas të cilit, Drejtori i Drejtorisë së buxhetit në komunën e Gjilanit kërcënoi qytetarët që brenda 15 dite t’i paguajnë borxhet e tatimit në pronë, në të kundërtën do të veprohet me përmbarues privat.

EkoHigjiena

”Qytetarët e Gjilanit i paskan obligime komunës së Gjilanit për tatim ne pronë rreth 7 milion euro. Sipas ligjit të ri, komuna paska mundësi t’i arkëtojë këto borxhe përmes përmbaruesit e jo përmes efikasitetit të njerëzve kompetentë dhe se këto mjete t’u kthehen qytetarëve tanë. Mirëpo komuna e Gjilanit po harron se sa milion i ka borxh kjo qytetarëve pas parasysh vlerën e madhe të shpronësimeve, e sikur qytetarët t’i marrin këto mjete përmes përmbaruesve i bie që komuna e Gjilanit do të mbetet pa buxhet ose thënë ndryshe, në kolaps financiar”, thotë Avdyli.

Sipas tij, PDK si opozitë janë kundër kësaj forme të mbledhjes së tatimit në pronë, ka forma tjera të cilat komuna përmes mekanizmave të saj do të duhej t’i arkëtonte këto mjete, por në asnjë mënyrë në këtë formë.

“Duhet ta shfrytëzojmë ligjin për të gjetur mundësitë më të mira për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve, jo për t’i ndëshkuar ata”, thotë Riza Abdyli, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit.