DYLON

Për zhvillimin e turizmit është i domosdoshëm kategorizimi i objekteve hoteliere

Për zhvillimin e turizmit është i domosdoshëm kategorizimi i objekteve hoteliere
Avatar photo Redaksia

Zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë zhvilluar të premten në Gjilan një bashkëbisedim me përfaqësues të komunave të regjionit të Gjilanit, për nevojën e kategorizimit të hoteleve dhe objekteve tjera hoteliere, si parakusht për zhvillimin e turizmit, ku Kosova ka mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik.

Fillimisht, Agim Zuzaku, drejtor komunal për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se kategorizimi i hoteleve, është një çështje që nuk është trajtuar deri tani dhe ka përshëndetur nismën e MTI-së për ta filluar këtë proces, duke nënvizuar faktin se kategorizimi e rrit konkurrencën dhe përmirëson cilësinë e shërbimeve.

Gjilani nuk ka ndonjë qendër të njohur turistike, por ka parakushte të mira për të zhvilluar turizmin dhe si pika më atraktive ka përmendur resorët “Vali Ranch”, “Planet” dhe “Maja e Zezë”. Për më tepër, rajoni i Gjilanit është i pasur me ujëra minerale, ka thënë Zuzaku.

EkoHigjiena

Fadil Arifi, zëvendësministër i MTI-së, ka thënë se turizmit në Kosovë duhet t`i japim një kahe tjetër, duke filluar nga kategorizimi i hoteleve.

“Kosova ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit, duke filluar nga turizmi malor, trashëgimia kulturore e historike dhe sektorë të tjerë”, ka thënë Arifi, duke nënvizuar faktin se nga 400 hotele sa ekzistojnë në vendin tonë, vetëm 32 prej tyre e kanë bërë kategorizimin.

Xhemajl Pllana, udhëheqës i Divizionit të Turizmit në MTI, ka thënë se është e domosdoshme të bëhet institucionalizimi i objekteve hoteliere dhe ka prezantuar hapat që duhet ndjekur në këtë drejtim.
Turizmi zë vendin e dytë në zhvillimin ekonomik të një vendi, në shumë vende të botës, prandaj është koha e duhur që edhe Kosova të bëjë hapa konkret në zhvillimin e këtij sektori, meqë ka potencial të jashtëzakonshëm, ka thënë Pllana, duke veçuar mundësitë për zhvillimin e turizmit dimëror.