Vetëvendosje ka program, të tjerët kanë premtime
Lëvizja Vetëvendosje, në kuadër të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Nacionale 2017, ka mbajtur një takim me punëtorë të arsimit, në të cilin është prezantuar një pjesë e programit e që ka të bëjë me arsimin.
Besa Baftiu, kandidate për deputete, ka thënë se qytetarët po deklarohen për ndryshime e arsimi kërkon ndryshime. Sipas saj, arsimi është lëmi e rëndësishme, andaj ajo ka kërkuar që të përkrahen kandidatët e vetëvendosjes, duke kërkuar që një votë të shkojë për Albin Kurtin e katër të tjera për kandidatët e VV-së nga Gjilani.
Ismajl Kurteshi, kandidat në listën e VV-së, ka theksuar se askush nuk është i kënaqur me gjendjen në arsim e VV ka projekte për të ndërruar këtë gjendje. Sipas tij, arsimi duhet të jetë me prioritet nacional dhe tri janëçështjet kryesore sa i përket arsimit: ndërtimi i 160 çerdheve për fëmijë, shkollat profesionale dhe shkollimi falas për të gjithë.
“VV ka program e të tjerët kanë premtime”, ka thënë Kurteshi, kurse Arjeta Rexhepi, kandidate për deputete, tha se duhet një ndryshim i madh dhe fëmijët të mos lihen keq. Ajo si të mirë ka përmendur punën në Prishtinë dhe tha se me fitoren e VV-së do të bëhen ndryshime edhe në nivel vendi.
Nevzad Isufi, kandidat tha se pushteti i deritashëm nuk ka ofruar cilësi në arsim, andaj ka kërkuar që të largohen metodat e ulëta dhe joedukative dhe që t’i lihet vend edukimit të drejtë të brezave.
Edhe kandidatët për deputetë Sami Kurteshi e Shemsi Syla, patën vërejtje në cilësinë e arsimit të tashëm dhe përpos arsimimit përmendën edhe rëndësinë e edukimit.
Mësimdhënës pjesëmarrës në debat kërkuan ndryshime rrënjësore në arsim. Ajvaz Beqiri, drejtor në shkollën e Mihirit, tha se besojnë fuqishëm në VV dhe është mirë që VV ka program që ka të bëjë me arsimin. Enver Rexhepi, mësimdhënës i biologjisë, tha se kjo qeveri e ka penguar zhvillimin e arsimit dhe se po krijohen kuadro që do t’a kenë shumë të vështirë që të punësohen, duke e cekur se arsimi i ynë ka nevojë për profile të natyrës e Murat Morina, mësimdhënës i matematikës, tha se nxënësit tanë individualisht po tregojnë suksese, por jo edhe në mënyrë të organizuar.
*Hapësirë e sponsorizuar – Zgjedhjet Nacionale 2017
