Kushtrim Kadriu: Boll u matët e boll votuam, hajde tash bëni institucionet
Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”, thotë se qytetarët e Kosovës e kanë kryer obligimin e tyre demokratik, kanë dalë në zgjedhje, kanë votuar dhe kanë shprehur vullnetin e tyre politik, tani është radha e partive politike që ta kryejnë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të ndërtojnë institucionet e vendit.
“Për fat të keq, Kosova tash e sa vite po përballet me një krizë të vazhdueshme institucionale. Në vend që energjia e institucioneve të fokusohet në zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe integrimet ndërkombëtare, një pjesë e madhe e kohës po humbet në kalkulime politike, bllokada dhe interpretime procedurale”, thotë Kadriu, transmeton 2LONLINE.
Sipas tij, qytetarët janë lodhur duke dëgjuar për qeveri në detyrë, ushtrues detyre dhe mandate të përkohshme. Herë kemi qeveri me mandat të kufizuar, herë ministra në detyrë, herë institucione që funksionojnë vetëm pjesërisht. Kjo situatë nuk mund të bëhet normalitet për një shtet që synon stabilitet dhe zhvillim.
Kushtrim Kadriu, që është edhe anëtar i Kuvnedit Komunal të Gjilanit thotë se partitë politike duhet të ulen në tavolinë, të dialogojnë dhe të gjejnë zgjidhje. Askush nuk i ka fituar të gjitha zgjedhjet dhe askush nuk mund të qeverisë i vetëm, pa marrë parasysh realitetin politik. Kompromisi nuk është dobësi; kompromisi është përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe ndaj shtetit.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për kriza të pafundme. Ka nevojë për vendimmarrje, jo për vonesa. Ka nevojë për stabilitet politik që të mund të përballet me sfidat e brendshme dhe të jashtme”, thotë Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”. /2LONLINE/
