Policia e Kosovës shqiptoi 261 gjoba dhe konfiskoi 41 mjete me dy rrota gjatë javës së kontrollit ROADPOL
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 1–7 qershor 2026 ka realizuar aktivitete të shtuara të kontrollit në kuadër të planit evropian ROADPOL 2026, me fokus të veçantë në mjetet me dy rrota, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe parandalimit të aksidenteve.
Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe njësitë e trafikut kanë shtuar prezencën në të gjitha rrugët e vendit dhe kanë zhvilluar një sërë kontrollesh të dedikuara për motoçikletat, skuterët dhe mjetet e tjera me dy rrota, transmeton 2LONLINE.
Gjatë zbatimit të këtij plani operacional janë realizuar gjithsej 734 pika kontrolli për mjetet me dy rrota. Policia ka kontrolluar 659 mjete, ndërsa për shkeljet dhe parregullsitë e evidentuara janë shqiptuar 261 gjoba.
Po ashtu, sipas të dhënave zyrtare, gjatë aksionit janë konfiskuar 41 mjete me dy rrota për shkak të shkeljeve të konstatuara nga zyrtarët policorë.
Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të planit të ROADPOL-it, Rrjetit Evropian të Policive Rrugore, i cili synon forcimin e sigurisë në komunikacion përmes kontrolleve të koordinuara në vendet pjesëmarrëse. /2LONLINE/
