Policia e Gjilanit apelon për kujdes në përdorimin e trotineteve elektrikë
“Respektoni rregullat e trafikut, lëvizni me shpejtësi të përshtatshme dhe mos transportoni pasagjerë me trotinet elektrik”, apelon Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, duke u bërë thirrje të gjithë drejtuesve të këtyre mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal në komunikacion.
Sipas Policisë, përdoruesit e trotinetëve elektrikë duhet të respektojnë shenjat e trafikut dhe dispozitat ligjore në fuqi, të lëvizin me shpejtësi të sigurt dhe të jenë të vëmendshëm ndaj pjesëmarrësve të tjerë në trafik, transmeton 2LONLINE.
Në apelin e saj, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan rikujton se trotineti elektrik duhet të operohet në pozitë në këmbë dhe nuk lejohet mbajtja e pasagjerëve gjatë lëvizjes. Po ashtu, drejtuesit duhet të tregojnë respekt dhe kujdes ndaj këmbësorëve, çiklistëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës, transmeton 2LONLINE.
“Trotineti elektrik duhet të drejtohet vetëm nga persona mbi moshën 16-vjeçare. Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe respektimi i rregullave ndihmon në parandalimin e aksidenteve”, thuhet në apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të përdorin trotinetet elektrikë në mënyrë të përgjegjshme, duke kontribuar kështu në rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion. /2LONLINE/
