Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor
Komunikatë e përbashkët nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Policia e Kosovës
Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Prishtinë, 6 qershor 2026 – Gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Po ashtu, më 4 qershor 2026, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin.
Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve.
Institucionet relevante janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të
Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm, pa presion, pa frikë, pa ndikime të jashtme dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të të presionit, kërcënimit apo çfarëdo forme tjetër të ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor.
