UKZ mbajti takimin fillestar për themelimin e Programit të përbashkët Master me Universitetin Sapienza të Romës
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt takimi fillestar për nisjen e Projektit SHER JDD – Faza e Dytë (Joint Degree Development Project – Phase II), i cili ka për qëllim themelimin e programit të përbashkët ndërkombëtar “Master i Shkencave në Paqen Globale – Hartimi i Politikave për Diversitet, Pluralizëm dhe Barazi në një Botë Polikrize”, në bashkëpunim me Universitetin Sapienza të Romës. Projekti realizohet në kuadër të programit SHER – Arsim i Lartë dhe Kërkim i Qëndrueshëm në Kosovë, i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.
Ky projekt synon zhvillimin e mëtejshëm të programit të përbashkët master, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar akademik dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të universiteteve partnere.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve partnere, akademikë, përfaqësues të programit SHER, studentë dhe palë të tjera të interesuara, me qëllim të prezantimit të objektivave dhe aktiviteteve të fazës së dytë të projektit për zhvillimin e programit të përbashkët master.
Takimin e hapi Prof. Dr. Dukagjin Leka, Koordinator i Projektit, i cili pasi përshëndeti të pranishmit në emër të Rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, prezantoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe vizionin e projektit për krijimin e një programi studimi që adreson sfidat bashkëkohore globale në fushën e paqes, diversitetit dhe barazisë. Ai theksoi se ky projekt është një mundësi e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e studimeve në UKZ dhe për fuqizimin e bashkëpunimit akademik me universitetet evropiane. Koordinatori Leka theksoi se partneriteti me Universitetin Sapienza të Romës dëshmon përkushtimin e UKZ-së për të ofruar programe studimi cilësore, të krahasueshme me standardet evropiane dhe të orientuara drejt nevojave të shoqërisë bashkëkohore.
Në linjë online ishin edhe përfaqësues të Universitetit Sapienza të Romës, Drejtori Ekzekutiv i WUS Austria dhe përfaqësues i programit SHER, z. Almir Kovacevic të cilët përshëndetën pjesëmarrësit dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit akademik. Ata theksuan se programi i përbashkët do të krijojë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik, duke promovuar dialogun ndërkulturor dhe shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare, derisa vlerësuan progresin e arritur në kuadër të projektit dhe rëndësinë e investimit në programe inovative të arsimit të lartë.
Ndërkaq, përfaqësuesi i SHER në Kosovë, z. Nehat Dervishi, theksoi rolin e programit SHER në mbështetjen e universiteteve publike të Kosovës në avancimin e cilësisë në arsim dhe kërkim shkencor. Ai nënvizoi se projektet e përbashkëta ndërkombëtare janë një mekanizëm i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve akademike dhe zgjerimin e bashkëpunimit rajonal e evropian.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vuri në pah rëndësinë e programit për zhvillimin e studimeve në fushat e paqes, politikave publike, diversitetit dhe barazisë. Ai theksoi se Fakulteti i Shkencave Sociale do të japë kontribut të rëndësishëm në realizimin e objektivave të projektit dhe në krijimin e një programi që i përgjigjet nevojave të kohës.
Gjatë prezantimit të objektivave të projektit JDD – Faza II, koordinatori i projektit, Prof. Dr. Dukagjin Leka, theksoi se programi i ri master do të trajtojë tema me rëndësi të veçantë për shoqërinë bashkëkohore, duke përfshirë paqen globale, diversitetin, pluralizmin, barazinë gjinore dhe sfidat sociale në një botë të karakterizuar nga kriza të shumta. Ai nënvizoi se këto tema janë të lidhura ngushtë me zhvillimet aktuale ndërkombëtare dhe do t’u mundësojnë studentëve të fitojnë njohuri të avancuara për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Prof. Leka bëri të ditur se programi do të jetë dyvjeçar dhe do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Universitetin Sapienza të Romës. Ai theksoi se gjatë muajve në vijim do të punohet intensivisht në finalizimin e kurrikulës, duke u bazuar në standardet evropiane të cilësisë, ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit akademik. Sipas tij, një ndër aspektet më të rëndësishme të projektit është bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve partnere, si dhe angazhimi për të siguruar që programi të ketë qëndrueshmëri edhe pas përfundimit të financimit aktual.
Ai potencoi se synimi afatgjatë është zgjerimi i partneritetit dhe aplikimi për programe të përbashkëta të nivelit Erasmus Mundus, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik. Gjithashtu, Koordinatori i Projektit Prof. Dr. Dukagjin Leka theksoi se promovimi i programit do të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit, me qëllim që ky program të shndërrohet në një vlerë të qëndrueshme akademike për universitetin dhe partnerët e tij.
Në kuadër të aktivitetit u ndanë certifikata mirënjohjeje për donatorët, institucionet dhe palët e interesuara që kontribuuan në realizimin e vizitës studimore të studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës në Strasburg të Francës. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vlerësoi kontributin e secilit donator dhe partner që mbështeti këtë iniciativë, duke theksuar se vizita përfaqësoi një përvojë të jashtëzakonshme akademike dhe qytetare për studentët, si dhe kontribuoi në promovimin e përvojave ndërkombëtare dhe zhvillimin e tyre profesional e akademik.
Për përvojat dhe përshtypjet e tyre nga vizita në Strasburg folën edhe studentët pjesëmarrës, të cilët ndanë përfitimet akademike dhe profesionale që kishin marrë nga vizitat në institucionet më të rëndësishme evropiane. Gjithashtu, fjalë rasti mbajtën edhe disa nga donatorët dhe mbështetësit e projektit, të cilët shprehën kënaqësinë që kishin kontribuar në realizimin e kësaj eksperience të vlefshme për studentët e UKZ-së. /2LONLINE/
