DYLON

Festa e Abetares mbushi Kamenicën me buzëqeshje, emocione dhe krenari

Festa e Abetares mbushi Kamenicën me buzëqeshje, emocione dhe krenari
Avatar photo Redaksia

“Atmosferë festive, fytyra të buzëqeshura fëmijësh, prindër të emocionuar dhe shumë momente të paharrueshme shënuan Festën e Abetares 2026, të organizuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë”, thuhet në njoftimin e kësja komune.

Kjo festë, e cila simbolizon përfundimin e hapit të parë në rrugëtimin arsimor të nxënësve, mblodhi në një vend fëmijë, prindër, mësimdhënës, drejtues shkollash dhe përfaqësues institucionalë për të kremtuar suksesin e gjeneratës më të re.

EkoHigjiena

Të veshur bukur dhe me plot gëzim në fytyrat e tyre, nxënësit e klasave të para ishin protagonistët e ditës. Me sytë plot shkëlqim dhe zemrat plot emocion, ata festuan përfundimin e mësimit të shkronjave të para, duke dëshmuar se pas çdo fjale të lexuar dhe çdo fjalie të shkruar qëndron puna, përkushtimi dhe dashuria për dijen.

Emocionet nuk munguan as tek prindërit, të cilët me krenari ndiqnin paraqitjet e fëmijëve të tyre. Shumë prej tyre nuk i fshehën emocionet teksa shikonin të vegjlit e tyre në skenë, duke kujtuar ditën e parë të shkollës dhe rrugëtimin e bërë gjatë këtij viti. Çdo duartrokitje ishte një shprehje krenarie për sukseset e fëmijëve dhe një vlerësim për punën e palodhshme të mësuesve.

Në këtë manifestim morën pjesë Nënkryetarja e Komunës, Arta Bajralija, Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, drejtorë shkollash, mësues, prindër dhe të tjerë.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, në fjalën e tij përgëzoi nxënësit për suksesin e arritur dhe theksoi rëndësinë e këtij momenti në jetën e tyre shkollore.

“Festa e Abetares është një nga ngjarjet më të veçanta në arsimin fillor, sepse shënon fillimin e rrugëtimit të fëmijëve drejt dijes. Sot shohim fytyra të lumtura, prindër krenarë dhe mësues të përmbushur me rezultatet e punës së tyre. Uroj që dashuria për librin dhe mësimin, e cila ka nisur me Abetaren, t’i shoqërojë nxënësit tanë gjatë gjithë jetës. Sukseset e tyre janë krenari për familjet, shkollat dhe për gjithë komunën tonë”, ka thënë Klaiqi.

Programi artistik u pasurua me valle, recitale, vallëzime dhe pika të ndryshme kulturore të përgatitura nga 13 shkolla fillore dhe dy paralele të ndara, të cilat sollën ngjyra, kreativitet dhe energji në skenë. Nxënësit interpretuan me entuziazëm dhe talent, duke e kthyer këtë festë në një manifestim të vërtetë të gëzimit dhe dashurisë për shkollën.

Festa e Abetares mbetet një nga ngjarjet më të veçanta për çdo fëmijë, sepse shënon fillimin e një rruge të re drejt dijes dhe suksesit. Kjo ditë do të mbetet gjatë në kujtesën e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve si një kujtim i bukur i arritjeve të para shkollore dhe i ëndrrave të mëdha që i presin në të ardhmen /2LONLINE/