Policia në Rajonin e Gjilanit shqiptoi 1 mijë e.567 gjoba trafiku për shtatë ditë
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë javës së fundit janë shqiptuar 1.567 gjoba trafiku, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.
Sipas Policisë, aktivitetet e realizuara gjatë periudhës 29 maj – 4 qershor 2026 kanë përfshirë edhe hetimin e 32 aksidenteve të trafikut, prej tyre 17 me dëme materiale dhe 15 me persona të lënduar.
“Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 1.567 gjoba trafiku, ndërsa janë ndërmarrë një sërë masash me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se gjatë javës janë shqiptuar 21 gjoba për mosvendosje të rripit të sigurisë, 44 gjoba për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit dhe 67 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut.
Po ashtu, masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike u është shqiptuar 35 ngasësve.
Në fund të njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje drejtuesve të trotinetëve elektrikë që të respektojnë rregullat e trafikut, të lëvizin me shpejtësi të përshtatshme, të mos transportojnë pasagjerë dhe të tregojnë kujdes ndaj pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Policia rikujton se trotinetët elektrikë mund të drejtohen vetëm nga persona mbi moshën 16-vjeçare. /2LONLINE/
