Ahmet Isufi: Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së është një domosdoshmëri
“Mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së nuk ka të bëjë vetëm me kujtesën dhe nderimin e kujtimin e të rënëve, por është, mbi të gjitha, përgjegjësi shtetërore. Prandaj, Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së është një domosdoshmëri”, ka thënë Ahmet Isufi, kandidat i Aleancës, në garën për deputet, në zgjedhjet e 7 Qershorit.
ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën Operative të Karadakut tha edhe se një shtet që nuk i mbron vlerat mbi të cilat është ndërtuar, rrezikon të humbasë vetë themelin e tij moral dhe kombëtar.
“Aleanca është angazhuar me kohë dhe në qeverisjen e saj ka themeluar Departamentin e Vlerave të Luftës për të përfaqësuar me dinjitet familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës. Jo vetëm me fjalë e deklarata në ditë përkujtimore, por me përkujdesje të vazhdueshme, mbështetje institucionale dhe trajtim të denjë për ata që sakrifikuan më së shumti për lirinë e Kosovës”, ka thënë Isufi.
Ai shtoi se është obligim i të gjallëve që Kosovën ta bëjnë ashtu siç e ëndërruan dhe e deshën ata që ranë për lirinë e saj, ta bëjnë Kosovën një shtet të drejtë, të fortë, dinjitoz dhe krenar për historinë e vet.
“Kosova bëhet me njerëz që historia iu ka dhënë epitetin çlirimtar. Nuk bëhet me ata që interesat personale i nxjerrin para secilit interes tjetër”, ka thënë Ahmet Isufi, i Aleancës.