DYLON

Ahmet Isufi: Nevojitet më shumë përkushtim institucional për personat me aftësi të kufizuara

Ahmet Isufi: Nevojitet më shumë përkushtim institucional për personat me aftësi të kufizuara
Avatar photo Redaksia

Kandidati i Aleancës për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, Ahmet Isufi, ka vizituar organizatën Handikos në Gjilan, së bashku me kandidatët për deputetë Lindije Vranovci-Matoshi dhe Mumin Morina.

Gjatë vizitës, ata u pritën nga drejtori i qendrës, Fatmir Shurdhani, i cili i njoftoi me punën, aktivitetet dhe kushtet në të cilat funksionon kjo organizatë që kujdeset për personat me aftësi të kufizuara.

Isufi theksoi se institucionet e shtetit duhet të tregojnë më shumë përkushtim ndaj kësaj kategorie të shoqërisë, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të ndihen të barabartë dhe të përfshirë në jetën shoqërore.

“Bazuar në legjislacionin ekzistues, nevojiten ndryshime dhe plotësime të domosdoshme për të përmirësuar kushtet dhe për të siguruar trajtim adekuat për personat me aftësi të kufizuara. Do të jemi gjithmonë krah tyre, si pjesë e barabartë e shoqërisë”, ka deklaruar Isufi i Aleancës.

Ai shtoi se mbështetja institucionale dhe krijimi i mundësive të barabarta mbeten ndër prioritetet që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm nga të gjitha nivelet e qeverisjes.