KBI në Gjilan përmes “Bereqetit” shpërndan 200 pako ushqimore për familjet në nevojë në prag të Kurban Bajramit
Në prag të festës së Kurban Bajramit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, përmes degës së shoqatës humanitare “Bereqeti”, ka realizuar një aksion humanitar duke shpërndarë 200 pako ushqimore për familjet në nevojë, veteranët e luftës, shoqatën e të verbërve dhe kategori të tjera sociale.
Nga ky institucion u bë e ditur se aktiviteti është organizuar në frymën e solidaritetit dhe përkujdesjes ndaj shtresave më të ndjeshme të shoqërisë, me synimin që atmosfera e festës së Bajramit të arrijë në çdo familje.
Sipas KBI-së, aksione të tilla humanitare dëshmojnë rolin e rëndësishëm të institucioneve fetare dhe organizatave bamirëse në kultivimin e vlerave të mëshirës, ndihmës së ndërsjellë dhe bashkimit shoqëror.
Aksioni u mirëprit nga përfituesit, ndërsa u vlerësua si një mbështetje e rëndësishme në prag të festës së Kurban Bajramit. /2LONLINE/
