Vijojnë punëtoritë e Gjykatës Supreme me gjyqtarët nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe Ferizaj
Gjykata Supreme e Kosovës ka vazhduar punimet në punëtorinë e radhës me gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Punëtoria po zhvillohet nën drejtimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, me mbështetjen e OSBE-së.
Sikurse në punëtoritë paraprake, në fokus të diskutimeve janë trajtimi i çështjeve me rëndësi nga praktika gjyqësore, harmonizimi i saj dhe unifikimi i politikës ndëshkimore.
Me qëllim të zhvillimit të diskutimeve më të fokusuara profesionale, pjesëmarrësit janë ndarë në dy grupe: gjyqtarët e lëmisë civile dhe gjyqtarët e lëmisë penale.
Kryetari Rexhepi, së bashku me gjyqtarët e Gjykatës Supreme, po zhvillon diskutime me kolegët nga Gjilani dhe Ferizaj lidhur me sfidat me të cilat përballen në punën e përditshme, qoftë në aspektin procedural apo në vendimmarrjen gjyqësore në raste të ngjashme.
Në kuadër të punëtorisë u theksua edhe rëndësia e zbatimit të mendimeve juridike dhe udhëzuesve të Gjykatës Supreme, të cilët kontribuojnë në harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe në lehtësimin e vendimmarrjes së drejtë dhe të njëtrajtshme nga ana e gjyqtarëve.
Kreu i Gjykatës Supreme, ofroi mbështetje të plotë për gjyqtarët në adresimin e çështjeve profesionale dhe juridike, duke kërkuar njëkohësisht bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm gjatë trajtimit të çështjeve diskutabile gjyqësore që kërkojnë harmonizim dhe unifikim të praktikës gjyqësore, në përputhje me dispozitat ligjore. /2LONLINE/
