Kryeministri në detyrë Albin Kurti për stadiumin: Po punohet pa u ndal që projekti të përfundojë sa më parë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se me sportistë e sportdashës të Gjilanit biseduan për punën e rezultatet e deritanishme dhe për synimet, planet e programin tonë qeverisës në këtë fushë.
Kurti tha se tash e kemi Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, sepse sporti dhe rinia zhvillohen bashkë dhe nxisin potencialin për rritjen e talenteve.
Sipas tij, programet Sporti në Shkolla dhe “Drejt Malit” po e lidhin sportin me arsimin dhe të rinjtë me natyrën, duke e trajtuar atë jo vetëm si argëtim e shëndet por edhe garë që kultivohet nga fëmijëria.
“Përgjatë viteve të fundit e kemi rritur buxhetin për subvencionim të sportit; programi Super Sportistët ka sjellë 4 milionë euro mbështetje për cikël olimpik për sportistët drejt suksesit në gara ndërkombëtare; kemi mbështetur qindra sportistë të organizatave sportive përmes thirrjeve publike, një praktikë që nuk ka ekzistuar më parë; dhe Komiteti paralimpik dhe olimpiada speciale për herë të parë gëzojnë mbështetje shtetërore të dinjitetshme dhe ofron mundësi që të kemi aktivitete vendore dhe ndërkombëtare për sportistët me aftësi të kufizuara”, ka thënë Kurti.
E sipas tij, në Gjilan po ndërtojnë edhe Stadiumin e Qytetit, me kapacitet prej 8,750 ulësesh. “Kostoja e përgjithshme e projektit është në shumën prej 12 milionë e 740 mijë euro. Po punohet pa u ndal që projekti të përfundojë sa më parë”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës. /2LONLINE/
