Policia shqipton 416 gjoba gjatë aksionit për kontrolle të mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve
Policia ka realizuar aktivitete të shtuara operative në kuadër të planit evropian ROADPOL 2026, me fokus kontrollin e mjeteve të transportit të mallrave dhe udhëtarëve, përkatësisht kamionëve dhe autobusëve.
Sipas njoftimit zyrtar, aktivitetet janë zhvilluar nga 4 deri më 10 maj 2026, në të gjitha rrugët e vendit, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafik dhe parandalimit të aksidenteve rrugore.
Gjatë kësaj periudhe, njësitë e trafikut kanë realizuar gjithsej 834 pika kontrolli, ku janë kontrolluar 5 mijë e 344 mjete të transportit të mallrave dhe udhëtarëve.
Nga kontrollet e kryera, policia ka identifikuar parregullsi të ndryshme, për të cilat janë shqiptuar 416 gjoba për kundërvajtje në trafik.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore dhe respektimit të rregullave në trafik. /2LONLINE/
