Zero tolerancë ndaj shkelësve të rregullave në trafik me motoçikleta dhe mjete të ngjashme
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan ka nisur zbatimin e një plani operativ që synon kontrollin e shtuar të motoçikletave, trotinetëve, triçikletave, skuterëve dhe mjeteve të tjera motorike që qarkullojnë në kundërshtim me ligjin.
Ky aksion po zhvillohet në të gjitha komunat e rajonit të Gjilanit dhe ka për qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion, si dhe parandalimin e aksidenteve, përfshirë ato me pasoja fatale, lëndime trupore dhe dëme materiale.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të këtyre mjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të zbatojnë masat parandaluese, përfshirë përdorimin e detyrueshëm të helmetës mbrojtëse dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse. Po ashtu, kërkohet që mjetet të jenë në gjendje të rregullt teknike dhe të respektohen kufizimet e shpejtësisë dhe sinjalizimi rrugor.
Autoritetet rikujtojnë se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, drejtimi nën ndikimin e alkoolit apo substancave psikoaktive, si dhe manovrat e rrezikshme janë të ndaluara rreptësishtë. Gjithashtu, ndalohet qarkullimi i trotinetëve dhe mjeteve të ngjashme në hapësira publike si parqe dhe sheshe.
Njësitë policore janë të angazhuara me kontrolle intensive në terren, ndërsa plani operativ do të vazhdojë deri në një vlerësim të ri të situatës së sigurisë në trafik.
Sipas të dhënave të fundit, gjatë dy ditëve të fundit janë përjashtuar nga komunikacioni 13 mjete për shkak të parregullsive, ndërsa janë shqiptuar 16 gjoba ndaj drejtuesve.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të zbatojë tolerancë zero ndaj të gjithë shkelësve të ligjit në trafik. /2LONLINE/
