Drejtori Shabani takoi përfaqësuesit e KFOR-it turk dhe amerikan, në fokus menaxhimi i emergjencave
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, ka pritur në një takim zyrtar përfaqësues të KFOR-i turk dhe KFOR-i amerikan, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në menaxhimin e situatave emergjente.
Gjatë takimit u diskutua për rolin dhe përgjegjësitë e kësaj drejtorie, sfidat me të cilat përballet, si dhe për rastet emergjente të evidentuara në terren. Një vëmendje e veçantë iu kushtua vërshimeve, zjarreve dhe emergjencave të tjera natyrore e aksidentale, që kërkojnë reagim të shpejtë dhe koordinim të mirëfilltë institucional.
Drejtori Shabani prezantoi kapacitetet aktuale të drejtorisë, duke përfshirë burimet njerëzore dhe logjistike, si dhe nevojat për avancim të mëtejmë në pajisje dhe trajnime profesionale.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me KFOR-in, për rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit në përballje me situata emergjente.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e KFOR-it turk dhe amerikan shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve lokale, përmes trajnimeve, shkëmbimit të përvojave dhe asistencës në raste emergjente.
Në përmbyllje të takimit, drejtori Shabani falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, ndërsa palët u dakorduan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me synim rritjen e sigurisë dhe reagimit sa më efikas në mbrojtje të qytetarëve. /2LONLINE/
