DYLON

Fuqizimi i Bashkëpunimit Institucional për Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Sektorin e Sigurisë

Fuqizimi i Bashkëpunimit Institucional për Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Sektorin e Sigurisë
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut, në Komunën e Kamenicës, u realizua një vizitë nga përfaqësueset e Ministrisë së Mbrojtjes, Halime Morina Lupçi, Shefe e Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore dhe Qamile Thaqi, zyrtare për të drejtat e njeriut.

Gjatë kësaj vizite, ato u pritën nga Nazmije Demolli Kastrati, Koordinatore e NJKDNJ-së, dhe Kosovare Maroca Berisha, Zyrtare për Barazi Gjinore, Kthim dhe Riintegrim.

EkoHigjiena

Në takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në avancimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore, si dhe u prezantua fushata e rekrutimit për Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Qëllimi i kësaj fushate është informimi dhe sensibilizimi i të rinjve për mundësitë që ofron FSK, me theks të veçantë në inkurajimin e vajzave për t’u bërë pjesë e saj dhe në rritjen e përfaqësimit të tyre në sektorin e sigurisë.

Në kuadër të këtij aktiviteti, u shpërndanë edhe materiale informuese, të cilat synojnë rritjen e vetëdijes dhe nxitjen e të rinjve drejt përfshirjes aktive në shërbim të vendit.

Ky takim është pjesë e një serie vizitash që Njësia për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Ministrinë e Mbrojtjes po realizon nëpër komuna, me qëllim promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në institucionet e sigurisë. /2LONLINE/