Njeriu është i thirrur të përpiqet, jo të arrijë përsosmërinë!
Shkruan: Ardian Azemi
Gabimi nuk është përjashtim, është vetë natyra jonë. Ne jemi qenie në ndërtim të përhershëm, të papërfunduara, që ecim mes dritës dhe hijes, mes të mirës dhe dobësisë sonë.
Lum ata që arrijnë të jenë të mirë me prindërit.
Në një botë ku gjithçka matet me interes e përfitim, dashuria dhe përkujdesja ndaj tyre mbetet ndoshta forma më e pastër e njerëzisë. Nëse ekziston një copëz përsosmërie në këtë jetë të papërsosur, ajo fshihet pikërisht aty në mirësinë e sinqertë ndaj atyre që na dhanë jetën.
Ne gabojmë. Unë, ti, të gjithë. Nashta bukuria e njeriut nuk qëndron tek të qenit i pagabueshëm, por tek aftësia për ta parë veten pa maska. Përsosmëria nuk është dhuratë për njeriun, ajo i përket vetëm Zotit. Njeriu është i thirrur të përpiqet, jo të arrijë absolutin.
Gabimet janë të pashmangshme, por reflektimi është zgjedhje. Pikërisht aty ndahet njeriu i zakonshëm nga ai që rritet. Të reflektosh do të thotë të kesh guximin të përballesh me veten pa justifikime, pa ikje.
Mendjemadhësia është një iluzion i rrezikshëm. Ajo të jep ndjesinë e rreme të madhështisë, ndërsa në të vërtetë të varfëron shpirtin. Të largon nga njerëzit, të mbyll në vetmi dhe ngadalë të kthen në një figurë që askush nuk e do pranë. Është një sëmundje që nuk dhemb menjëherë, por shkatërron në heshtje.
Prandaj, hiqe bre atë. Zgjidh përulësinë. Përulësia nuk të ul, ajo të lartëson në mënyrën më njerëzore të mundshme.
Marre nuk është të gabosh. Marre është të dish që je gabim dhe të mos ndryshosh. Marre është të zgjedhësh të keqen kur ke çdo mundësi të zgjedhësh të mirën. Të kërkosh falje nuk të zvogëlon, besom se të pastron.
Ramazani na duket i gjatë kur fillon, por e shihni se përfundon para se ta kuptojmë. Ashtu kalon edhe jeta. Ditët, vitet, vetë koha rrjedhin pa ndalur e ne mbetemi shpesh me ndjenjën se ende nuk kemi bërë mjaftueshëm për të qenë më të mirë.
Vjen një moment kur dëshira për të ndryshuar mbetet, por mundësitë zbehen. Eh, ky është paralajmërimi më i heshtur i jetës: mos e shtyj të mirën për nesër.
Bëhu i mirë, jo sepse bota e kërkon, por sepse shpirti yt ka nevojë për paqe, sepse në fund, njeriu nuk matet me atë që ka pasur, por me atë që ka dhënë.
Të gjitha mundësitë i kemi. Mjafton vullneti dhe një zemër që zgjedh të mos ngurtësohet.
Ju paça me shëndet e me dritë në zemër.
U bëftë secili prej jush çdo ditë pak më i mirë se dje. /2LONLINE/
