DYLON

“Përtej lëkure”, poezia fituese e Çmimit “Pena e Flakës”

“Përtej lëkure”, poezia fituese e Çmimit “Pena e Flakës”
Avatar photo Redaksia

Poezia fituese e Çmimit “Pena e Flakës 2026”

Blinerë HAJDARI
PËRTEJ LËKURE

EkoHigjiena

Flokëve të mi u vjen era jote
si një vend ku kam jetuar
para se ta dija kush isha

Erë që zbret poshtë
te qafa, te supet
ku trupi ruan atë
që s’pranohet

Edhe në ditët kur s’më njeh,
kur kalon pranë me sy të mbyllur
era më njeh mua
ndalet
më zhvesh pa zhurmë
më lë aty ku më gjeti.
në ato ditë.

Mungesa jote ka trup
ka peshë
ka temperaturë që s’bie
as kur hap dritare

Dehem,
me atë që ke lënë brenda meje
pa më prekur më

Në asht më rri
si një fjalë që s’u tha kurrë

Gjumi më merr vetëm
kur shtrihem mbi veten time si
mbi një trup tjetër
kur mbyll sytë
dhe diçka ende qëndron
aty ku duart e tua
dinë të mos jenë më
si kujtesë e nxehtë e lëkurës
që s’ka harruar formën e saj

Nuk të largoj dot.

Kam provuar
me net pa emër
me pika uji të ftohtë
që më bien mbi trup
si dënim i butë
trupit të gërvishtur
nga mënyra si më pikturoje
si më shikoje
derisa të bëhesha një tjetër

Çdo gërvishtje është një hartë
ku ti ende di të kthehesh

S’të largoj
as kur buzët e mia heshtin emrin tënd
dhe duken të forta
sepse ti s’je më në fjalë
je në mish
në erë
në atë vend të trupit
ku nuk shkohet me mend

S’të largoj dot ty
se – s’dua!


E lexuar në Orën e madhe letrare të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit” , mbajtur më 31 janar 2026, në Bibliotekën e qytetit, “Fan S. Noli”, në Gjilan dhe e vlerësuar nga Juria letrare në përbërje: Afrim Demiri, shkrimtar, Alketë Spahiu, poete dhe Arsim Halili, poet e studiues i letërsisë.