Ai iku fizikisht por shembulli, kujtimi dhe porositë e tij do ti kemi përgjithmonë
Në nderim të jetës dhe veprës së Rafet Bajramit, ish-veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, i cili ka ndërruar jetë, në Gjilan është mbajtur një Akademi Përkujtimore.
Sjellim fjalën lamtumirëse të Bejtush Isufit.
***
Bejtush Isufi
FJALA IME LAMTUMIRËSE PËR MIKUN PROFESOR RAFET BAJRAMIN
E nderuara familje Bajrami dhe Berisha! Të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim përkujtimor,
Më lejoni që në këtë ditë dhembjeje e pikëllimi të ndaj me familjen, dashamirët e familjes dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës, një tufë kujtimesh — nga më të çmuarat që ruaj për profesor Rafet Bajramin.
E njoha në fillim të viteve ’90-ta dhe, prej asaj kohe e deri te telefonata jonë e fundit, e para pak javësh, ruajtëm një miqësi dhe respekt të ndërsjellë. Por, siç po më ndodh me shokët, takimi që e planifikuam mbeti vetëm dëshirë — ikja e tij e papritur na e mori këtë mundësi.
Që në rini kam krijuar jo vetëm simpatinë, por edhe dashurinë për ata të veqantët në mes nesh që ju qëndrojnë përballë stuhive, qofshin të luftës a të pendës dhe kam dëshirë ti quaj me një emër, “luftarët e dritës” dhe profesor Rafeti ishte njëri prej këtyre.
Ai, që herët zgjodhi rrugën e sakrificës dhe të luftës me të keqen, siç kishin bërë para tij shumë prej të ndriturve të kombit. Kishte zgjedhur luftën për dritën, për dijen, për drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin.
I riu, si zakonisht do të zgjedh përcaktimin e tij në radhë të parë nga ajo që ka trashëguar, prandaj edhe Rafet Bajrami zgjodhi rrugën e të atit Hafëz Rashit Bajrami Berisha, të axhës së tij Ymer Berishës si dhe të djalit të axhës së tij Esat Berishës, pra rrugën e emancipimit e të nderit dhe kësaj rruge ai i qëndroi me besnikëri deri në ditën e tij të fundit.
Në librin e tij “Çaste Kujtimi”, në faqen e parë si një lloj testamenti, Rafeti kishte vendosur vargjet e kësaj kënge që këndohej në shtëpinë e tij:
“Tungjatjeta jeta nana jonë,
Tungjatjeta përgjithmonë,
Zoti vetë na ka dhonë,
Për liri na me konë,
Edhe bashkë me pushkë në dorë.”
Këto vargje ishin zëri i fëmijërisë së tij, në vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, dhe siç ndodh shpesh, ajo që gdhendet në rini bëhet vulë për gjithë jetën.
Në vitin 1944 forcat çetnike ja vranë babanë, xhaxhain dhe djalin e axhës, me shumë veprimtarë tjerë të kësaj kohe, prandaj këto akte të rënda dhe mizore zgjuan te ai në njërën anë urrejtjen për armikun e në anën tjetër dëshirën për të vazhduar rrugën e më dashurve të tij.
Rafeti së bashku me vëllain e tij Isa Bajramin dhe poetin e dëshmorin Rexhep Elmazin në Maj apo Qershor të vitit 1962, kishin themeluar grupin e fshehtë patriotik me emër “Mujo Ulqinaku”.
Qëllimi i Grupit ishte rezistenca ndaj politikës antishqipare të regjimit serb e jugosllav, i cili grup sipas kujtimeve të Rafetit në muajin Prill të vitit 1964 ishte bërë Degë e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, të udhëhequr nga Adem Demaqi. Bashkimin e Grupit e kishte inicuar veprimtari Zeqir Gërvalla përmes Rexhep Elmazit.
Pas dekonspirimit të shumë anatarëve të këtij Grupi, ata u dënuan me shumë vite burg, ndërsa si njëri prej më të rinjve dhe duke i falënderuar mbrojtjes nga Rexhep Elmazi, Rafeti kishte shpëtuar vetëm me një dënim me kusht prej një viti.
Rrallë kam takuar njerëz në këtë qytet me dinjitetin, integritetin dhe përkushtimin e tij — përkushtim ndaj edukimit, gjuhës, kulturës dhe historisë, ndaj vlerave që na bëjnë komb dhe shoqëri me dinjitet. Kujtoj veçanërisht vitet ’90, punën e tij të matur, të pa ndalur, të përpikt në institucionet e asaj kohe. Kishte qetësi e dashamirësi, por edhe guxim për të kundërshtuar pa mëdyshje gjithçka që e shihte si të dëmshme, gjithçka që na kthente prapa.
Edhe përballë humbjeve të mëdha familjare, ai gjeti forcën për t’u ringritur. Vazhdonte të besonte, të kontribuonte, ti gëzohej lirisë dhe të vëzhgonte përparimin e shoqërisë — pa rënë në dorëzim dhe pa humbur shpresë.
Në bisedën tonë të fundit, kur e falënderova për librin, ai me një kthjelltësi të habitshme rikujtoi vitet e njohjes sonë, takimet e miqësinë. Nga zëri i tij s’e mendova dot ikjen, aq më pak kaq shpejt e kaq papritur.
Shumë nga ne patëm privilegjin ta njihnim nga afër.
Qytetit të Gjilanit nga sot e tutje do ti mungoj një nga emblemat e tij më të veçanta.
Jam i bindur se gjithçka që la pas do të vazhdojë të flasë për të — më qartë se ne vetë.
Ai iku fizikisht, por shembulli, kujtimi dhe porositë e tij do ti kemi përgjithmonë.
Më mbetet t’i them vetëm: faleminderit, profesor!
Qoftë e paharruar veprimtaria e profesor Rafet Bajramit!
Ngushëllime familjes dhe të gjithëve që sot ndajnë dhimbjen!
Gjilan, 27.11.2025
