Veprimtaria kolosale në shërbim të edukimit fetarë e kombëtarë
Hfz. Avni Aliu
1947- 2011
Nga Isak N. Bilalli
Avni Aliu njihet nga pjesa e dërmuese me prefiksin Hfz. (Hafëz – memorizues i Kuranit) titull të cilin e ka fituar që në moshë të re, akronim që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij edhe pse të arriturat e tij profesionale me kalimin e viteve janë të pakrahasueshme me vetëm aftësinë e tij të memorizimit të librit të shenjtë.
Dimensioni i shërbesës që Hafëzi ka realizuar gjatë jetës së tij është i përmasave të larta ndaj dhe është shumë e paktë vetëm të rikujtohet kohë pas kohe por vlerësimi për te do të duhej të ishte më meritor dhe shpërblyes në nivelet më të larta. E thënë më thjeshtë, kjo për shkak se Hfz. Avniu, ishte një kontributor i madh i çështjes kombëtare dhe fetare duke u shquar si një personalitet i denje, i cili njihet si një nga intelektualet e kohës si një nga shtytësit në promovimin e vlerave fetare dhe kombëtare në rajonin e Gjilanit dhe më gjerë.
Hfz. Avni Aliu njihet si një personalitet që ishte rritur dhe formuar mes librash ndaj dhe ka qenë pasioni i tij për dituri që e ka shtyrë atë të përqendrojë gjithë potencialin qe kishte drejt ngritjes e ri-ngritjes intelektuale si forma e vetme që shqiptarët duhet te jetojnë të lirë në atdheun e tyre dhe lirshëm të ushtrojnë të drejtën e besimit në zot. Për ta kuptuar më drejtë e më saktë gamën dhe dimensionin e arritjeve të tij, mbase është e rrugës të hedhim një shikim rrugëtimit që ai ke ndjekur në formimin e tij si intelektual, atdhetar dhe prijës fetar.
Për kohën, ai ishte nga të rrallët që kishte shkollim dual ngaqë mbaroi medresenë dhe gjithashtu shkollën e lartë pedagogjike për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, shkollim i cili i mundësoi të ishte një nga mualimët dhe profesorët jo i zakonshëm që arriti të fuzionojë suksesshëm dy titujt shkencorë në shërbim të dijedashësve. Profil i pazakonshëm i kohës, që ishte përgatitja e tij arsimore e lartë, e bëri atë të jetë nga profesionistët më të zotë dhe nga njohësit më të specializuar të kohës si në gjuhësi po ashtu edhe në teologji. Këtë e vërteton historiografia e tij profesionale e cila në shumë aspekte padyshim që është mbresëlënëse por dhe unike për nga lloji. Hfz. Avniu, në mesin e njerëzve, shquhej për urtësinë, modestinë dhe mënyrën e komunikimit publik shumë të pëlqyeshëm që është dalluar si nga më të mirët që ka patur rajoni i Anamoravës. Modestia si virtyt shumë i theksuar tek i ndjeri, ishte shumë evidente sepse ai asnjëherë nuk preferonte të fliste për veten e tij dhe në asnjë mënyrë nuk ka dëshiruar të imponohet në asnjë lloj forme, vlera që e kanë bërë të jetë unik dhe në njëfarë forme të pa-zëvendësuar.
Kur flasim për Hafëzin medoemos duhet të ndalemi tek pika më e fortë e tij që ka qenë komunikimi publik, domen në të cilin padyshim që ai cilësohet nga më të mirët në rang nacional. Kur dëgjoje një ligjëratë publike të tij, dalloje qartësisht një artikulim të kalibruar mjeshtërisht me shumë kthjelltësi dhe të realizuar me finese të cilat kane zgjuar vëmendjen e madhe të publikut. Këtë nivel vëmendje të lartë e ka fituar duke qenë se elementet bazike të këtij komunikimi i ka patur të lindura dhe aspekte te tjera i ka përvetësuar falë thjeshtësisë dhe studimit të vazhdueshëm që ka bërë në realizimin e përcjelljes së mesazheve tek audienca e tij.
Një e veçantë tjetër e tij ishte durimi i tij respektivisht aftësia për të qenë dëgjues aktiv, virtyt që e ka bërë atë të jetë bashkëbisedues me një besueshmëri të lartë ndaj duke qenë i tille ka ditur të pranoje shqetësimet dhe preokupimet që kane ardhur nga publiku respektivisht xhemati, por që e kanë bërë të ishte i afërt dhe shumë i respektuar. Diksioni i pastër, vokabulari i pasur, intonacioni i shprehur me butësi, urtësia në shprehjen dhe paraqitjen e problematikave, ofrimi i zgjidhjeve të realizueshme, gjetja e kompromiseve të duhura e kanë bërë Hafëzin të cilësohej si një intelektual qe ka njohur jashtëzakonisht mirë mendësinë dhe rrethanat ndaj ka qenë në gjendje të artikulojë si është më së miri shqetësimin dhe brengën publike.
I ndjeri ishte njeri i idealeve që cilësohet si thesar i fjalës së shkruar.
Mbase të një niveli afërsisht të njëjtë, por pse jo dhe me shumë, ishte në komunikimin publik të shkruar, dhunti për te cilën me të drejte cilësohet si njëri prej nismëtarëve të punës intelektuale e Publicistikës Islame në rajonin e Gjilanit dhe më gjerë. Kritika dhe qarqet akademike e kanë cilësuar Hafëzin si mjeshtër i penës bazuar në cilësinë dhe numrin e madh të shkrimeve të publikuara dhe me të drejtë konsiderohet si një nga themeltarët e publicistikës islame në Kosovë.
Shkrimet e tija në Buletinin e Shoqatës së Ulemave, revistën Dituria Islame, Edukata Islame kanë prekur tema dhe shqetësime të sfidave me të cilat është përballë kombi dhe feja tek të cilat gjithmonë ka synuar të trajtojë problematikat në themel. Për ta ilustruar me se miri stilin e të shkruarit eseistik e kërkues kam shkoqitur një paragraf nga shkrimet e tij që prek kufijtë e të qënit vetë-shpjegues nga trajtesa që i bën temës të cilën e ka shtruar në formë thirrje apo pyetje që ia drejton vetes dhe komunitetit besimtarë: “Si ta çlirojmë bashkësinë tonë Islame nga të gjitha ngushticat e jetës qe e dezertojnë dhe e shëtisin këtë nëpër rrugët e mjegulluara. Si ta vlerësojmë, pra, bashkësinë e lire Islame dhe si ta ngjeshim kështu të bashkuar të marrë kahje progresive”. Kjo lloj thirrje, shpalos shpirtin e tij kërkues për gjetjen e një formule që duhet të arrijë progresin shoqëror që në thelb duhet ta njoh edukatën fetare si mjet që e nxit këtë përparim. Shkrimet e tij, në esencë kanë patur në thelb këtë lloj përsiatje ku ai synon të ushtrojë ndikimin e tij përmes publicistikës në formimin e një edukate islame të pastër nga e cila duhet të marr sa më shumë çdo familje shqiptare.
Duhet nënvizuar që Hafëzi në publicistiken islame nuk ka qene i kufizuar të merret vetëm me Bashkësinë Islame të Kosovës, sepse ai ne total ka mbi 150 trajtesa autoriale përfshirë edhe publicistiken rajonale duke publikuar periodikisht në revistat islame të kohës siç janë: “Drita Islame” në Tiranë, “Triumfi islam” në Shkodër, “Hëna e Re” në Shkup, “Elif” në Podgoricë, “Preporod” e “Glasnik” në Sarajevë. Përveç faktit se Hfz. Avniu kishte penë të mprehtë në shkrimet autoriale ai është vlerësuar lartë e për rrjedhojë me të drejtë është vënë në krye të tavolinës si bashkë drejtues, redaktor e anëtar i disa redaksive, themelues e kontribut dhënës revistave islame në Kosovë si një profesionist e njeri me bagazh të madh shkencorë.
Hafëzi ka dhënë një kontribut të pasur e të pastër në diskursin publik, duke u dëshmuar si një intelektual i mirëfilltë me një trashëgimi të pasur që rezulton me dhjetëra libra të botuara e qindra përkthime të cilat i ka realizuar krahas shërbimit aktiv si imam xhamie dhe shkrimeve publicistike. Gjithashtu duhet mos lënë anash edhe bashkautorësinë në vepra te ndryshme monografike që ka realizuar me kolegë/autorë të tjerë siç janë: “Të rinjtë dhe narkomania”, “Myderriz – Haki Efendiu (1914-1948) një jetë për fe e atdhe”. Janë titujt e këtyre botimeve që dëftojnë shqetësimin e vazhdueshëm të tij që kishte për rininë, fenomenet që shkatërrojnë shoqërinë, rolin e fesë, detyrimet ndaj atdheut të cilat ishin ne vazhdimësi brenge që duhej të adresoheshin sipas tij.
Fushë-veprimtaria më e preferuar në të cilën shkëlqeu përgjatë gjithë karrierës është lingusitika, në të cilën lëmi, i ndjeri ishte nga të rrallët qe ishte shume dobiprurës me cilësi. Ai ishte një nga përkthyesit më të mirë të serbokroatishtes dhe boshnjakishtes teologjike në nivel kombëtarë dhe te gjithë përkthimet e gjithë ulemave domosdoshmërisht kalonin rrugën e redaktimit nga hafëzi. Gjithashtu edhe përkthimet e vështira nga arabishtja kalonin përmes ustahit i cili në gjuhësi jo që dallonte ngjyrat por i njihte fare mirë nuancat në gjetjen e ekuivalentin e duhur nga gjuha burimore dhe anasjelltas.
Ne vështrimin e përgjithshëm, trashëgimia e tij e shkruar të qon në përfundimin se Hafëzi asnjëherë nuk është ndjerë i përmbushur por gjithmonë ka qenë në kërkim të gjetjes së mënyrës se si duhet të trajtojmë njeri tjetrin më mire respektivisht qëndrimi pasiv i shoqërisë kundrejt problematikave të caktuara ka qenë shqetësim i vazhdueshëm i tij dhe se individi duhet të jetë në kërkim të dhënies sa më shumë për shoqërinë. I ndjeri, këtë lloj qasje e kishte të mishëruar në filozofinë e tij jetësore dhe e shprehte si të tillë shpeshherë në ligjëratat e tija apo në forumet e ndryshme shkencore ku kërkohej opinioni i tij dhe këtë e ka bërë në të gjitha etapat kohore që ka shërbyer.
Ne një nga periudhat më të vështira të rrugëtimit të Kosovës për liri, Hafëzi u gjend në pozita drejtuese të Bashkësisë Islame në Gjilan, duke shërbyer si kryetar për tre mandate, detyrë që e ka kryer me shumë përgjegjësi dhe elokuencë. Ne pozitat drejtuese ai është dëshmuar si udhëheqës e menaxher që ka dal me zgjidhje të mençura dhe të matura, pikërisht ashtu si ishte karakteri i tij në jetë. Lidershipi i tij ka reflektuar maturitet dhe zgjuarsi në reagime që kane prodhuar rezultate afatgjata dhe kanë përfaqësuar institucionin denjësisht si entitet stabil e koherent. Si person, ai ishte një natyrë e qetë dhe shumë paqësore, i matur deri në skajshmëri, por para së gjithash shumë njerëzor dhe human, tipare natyrale që i kane dhënë tagrin të cilësohet si një aset i shkëlqyer që ka ditur të bej analiza te sakta e përmbajtjesore dhe të marr gjithmonë vendime të drejta.
Këto atribute dhe shumë të tjera e kanë bërë hafëzin të cilësohej si një lider i shkëlqyer që ka ditur të përfaqësojë dinjitetshëm në arritjen e objektivave strategjike të institucionit që ka përfaqësuar. Pikërisht me maturinë e tij, ai ka ditur dhe ka guxuar të marr edhe vendime në mbrojtje të interesit kombëtare që kanë patur të bëjnë me periudhën e paraluftës dhe gjatë luftës, kohë në të cilën janë koordinuar të gjitha aktivitetet politike, kulturore e humanitare me strukturat udhëheqëse të kohës. Për sa kohë, Hafëzi ishte në timonin e Bashkësisë Islame në Gjilan, arriti të konsolidojë dhe të hap dyert e administratës së këtij institucioni në bashkërendimin e aktiviteteve politiko-kulturore të shumta si dhe bashkë grumbullimin e distribuimin e ndihmave humanitare me shoqatën Nënë Tereza në shërbim te kauzës kombëtare. Selia e Bashkësisë Islame në Gjilan, përveç se ishte seli distributore ishte dhe selia e rezistencës aktive ku gjithçka organizohej publikisht dhe ilegalisht nën ombrellën e këtij institucioni që drejtohej në atë kohë nga Hfz. Avniu, i cili ishte nga më të rrezikuarit nga pushteti vrastar serb. Këtë lloj pozicioni që mbante e kishte për nder dhe e realizonte me përkushtimin më të madh duke e ditur fare mirë se ishte nën llupen e armikut për likuidim fizik. Gjatë kësaj periudhe, nevojën që kishte atdheu për njerëz guximtarë, hafëzi nuk kurseu asgjë nga vetja duke vene në dispozicion gjithë arsenalin intelektual e njerëzor në shërbim të kauzës për liri dhe thirrjes për besim në zot.
Me po të njëjtin elan dhe përkushtim i ndjeri ushtroi ndikimin e tij edhe në periudhën e pasluftës për më shumë se një dekade duke mos ndaluar asnjë ditë të vetme të jetë në shërbim të nevojave që kishte populli i tij. Edhe gjatë këtij harku kohor, kuptohet me specifika tjera, Hafëzi vazhdoi shërbesën në konsolidimin dhe rivendosjen e funksionalizimit efikas të komunitetit mysliman duke e vënë në dispozicion përvojën e tij të vlefshme udhëheqëse dhe menaxheriale. Shumë e mangët do të ishte sikur të mos përmendin një veçori që konsiderohet si tipar i shquar i tij, respektivisht aftësia për të përfaqësuar dinjitetshëm dhe për të ndërtuar brenda për brenda rregull të konsoliduar administrativ e funksional. Ky tipar, përkthehet ndryshe si aftësi që kishte hafëzi në përfaqësimin të cilën e ka realizuar në marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe me partnerët ndërkombëtare duke i dhënë Bashkësisë Islame vlerën dhe konsideratën më të lartë.
Ai, ishte një lider me një karizmë të rafinuar që në thelb e kishte të dallueshme urtësinë, butësinë dhe lirinë.
Hfz. Avni Aliu ishte një diplomat i lindur me aftësi të shkëlqyera komunikuese vlerësim të cilin e kanë shprehur hapur përfaqësues të korit diplomatik dhe të organizatave ndërkombëtare që kane patur rastin të bashkëpunojnë me te. Diplomacia e tij nuk ishte sforcuese, vetëm sa për te impresionuar por ishte e shtrirë në linja afatgjata me qëllim të ndërtimit të raporteve koherente dhe të qëndrueshme me qëllimin për të paraqitur shqiptaret mysliman si të denje për vendin e tyre dhe si një shoqëri e lirë me besim në zot dhe në atdhe.
Me plot gojën mund të themi që Hafëzi ishte personalitet që konsiderohet si një nga përfaqësuesit më elitar të institucionit që përfaqësonte dhe justifikonte në çdo dimension çallmën e imamit që e mbajti me krenari deri sa ndërroi jetë. Në krijimtarinë intelektuale, fetare e kombëtare te tij qartësisht dallohet devocion në shërbim të promovimit të një edukate më të çiltër islame, e cila nuk mund të arrihet pa e dashur dhe pa i shërbyer atdheut për aq kohë sa nevojitej ky shërbim. Hafëz Avni Aliu i takon mendësisë dhe vështrimit fetaro-politik që e kishin hoxhallarët intelektual e patriot të cilët kundërshtuan fuqishëm sistemin shfarosës komunist ndaj shqiptareve në mesin e të cilëve ishin, Mulla Idriz Gjilani, Haki Efendia etj të cilët regjimi serb i vrau dhe i zhduku për shkak të bindjeve të palëkundura kombëtare.
Hafëz Avniu ishte një profesor, si shumë patriotë të shumtë, poashtu një hoxhë si shumë ulema të tjerë që i shërbyen fesë dhe vatanit pa kërkuar asnjëherë asgjë në këmbim të këtij shërbimi jetësorë. Veprimtaria e tij mund të krahasohet vetëm me kontributin që e kanë dhënë hoxhallarët rilindas të kohës dhe ata që patën fatin të flijohen për dheun mëmë.
Padyshim që veprimtaria e tij do të kujtohet gjithmonë si pishtar i publicistikës islame që la gjurme te pashlyera në diskursin publik, poashtu dhe si një intelektual e imam i pashoq që ndikoi për shumë dekada në avancimin fetar dhe kombëtar të shoqërisë në Kosovë. /2LONLINE/
