DYLON

Kosova nuk është vend i bandave – Presidentja duhet të mbrojë shtetin, jo ta etiketojë!

Kosova nuk është vend i bandave – Presidentja duhet të mbrojë shtetin, jo ta etiketojë!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Arlind Vokshi

Deklaratat e Presidentes së Kosovës mbi ekzistimin e “900 bandave kriminale” nuk janë thjesht një lapsus i zakonshëm politik ato përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj imazhit dhe besueshmërisë së shtetit.

EkoHigjiena

Kosova nuk ka pasur kurrë, dhe nuk ka as sot, qindra banda kriminale. Ky pretendim nuk mbështetet në asnjë statistikë zyrtare, në asnjë raport ndërkombëtar dhe nuk reflekton realitetin e njohur institucional të vendit.

Kur flet udhëheqësi i një shteti, fjalët e tij nuk janë deklarime personale. Ato janë pasqyra e shtetit, e institucioneve, e sigurisë dhe e reputacionit ndërkombëtar. Për këtë arsye, çdo deklaratë duhet të jetë e matur, e verifikuar dhe e mbështetur në fakte.

Për të kuptuar sa e pabazuar është shifra “900 banda”, mjafton të shohim statistikat e rajonit:

Sipas Global Organized Crime Index 2025:

Kosova renditet si vendi me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në Ballkan.
Serbia qëndron në 6.22 pikë, e njohur për rrjete kriminale të dokumentuara ndër vite.

Pra, përkundër narrativës së krijuar, Kosova është ndër vendet më të sigurta në rajon sa i përket krimit të organizuar.

Asnjë raport i ndonjë institucioni serioz ndërkombëtar, as njohje operative e asnjë agjencie ligjzbatuese nuk afron as për së largu shifrën e 900 grupeve kriminale.

Një numër i tillë, nëse do të ishte i vërtetë, do ta vendoste Kosovën në të njëjtin nivel me vendet me kriminalitet ekstrem si Kolumbia apo Meksika gjë që është e pamundur dhe thellësisht e padrejtë.

Deklarata të tilla nuk krijojnë vetëm keqkuptim ato e dëmtojnë realisht vendin:
Dëmtojnë reputacionin e Kosovës si një shtet i sigurt dhe stabil. Dëmtojnë punën dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës. Dëmtojnë besueshmërinë para partnerëve ndërkombëtarë. I japin oksigjen narrativave të dëmshme që historikisht janë përdorur kundër nesh.

Ironikisht, as Serbia, e cila ka rrjete kriminale të njohura globalisht, nuk ka artikuluar ndonjëherë një shifër kaq absurde për Kosovën. Ky alarm i pamerituar po vjen, për herë të parë, nga vetë maja e shtetit dhe kjo është arsyeja pse shqetësimi është serioz.

Kosova është një vend i vogël, por perceptimi ndaj saj është i madh. Prandaj, fjalët e udhëheqësve duhet të jenë të peshuara, të sakta dhe të mbrojnë interesin e vendit, jo ta kriminalizojnë atë.

E vërteta është e qartë: Kosova nuk ka banda. Kosova ka 1.8 milion qytetarë që meritojnë të vërtetën, jo frikën.

“Fjalët e udhëheqësve janë armë: ato ose mbrojnë shtetin, ose e plagosin atë”.  /2LONLINE/