DYLON

Poeti si dëshmitar i përjetësisë së dashurisë

Poeti si dëshmitar i përjetësisë së dashurisë
Avatar photo Redaksia

Nga: Prend Buzhala

Poeti si dëshmitar i përjetësisë së dashurisë

EkoHigjiena

(Sabit Rrustemi: “Shprush nëpër dej” , poezi sh.b. ROZAFA, Prishtinë, 2025)

Me vëllimin poetik “Shprush nëpër dej” që mban referencën lirike katrena e mbramë për dashurinë, Sabit Rrustemi e sintetizon një sistem artistik mbi dashurinë pas katër vëllimeve me titullin e përbashkët “Hyjnorja ime je ti”. Po t’i lexojmë së bashku këto vëllime, duke përfshirë edhe librat tjerë me motive dashurie, në kuptimin metaforik dhe analitik, ky projekt i tillë ngjan me një epikë lirike, sepse shtrihet në kohë, përfshin përvoja, zhvillime, ndërthurje tekstesh, dhe, gjithsesi, edhe një tip katarze. Së këndejmi, ky vëllim, së bashku me të tjerët, na vjen si korpus i gjerë poetik që e trajton dashurinë. Ideja është që një seri librash lirike, të bashkuar nga tematika e dashurisë, formojnë një strukturë që i afrohet përmasave dhe koherencës së një epike, por e gjitha në rrafshin e përjetimit poetik e të reflektimit intim. Madje, si në librat e përparshëm, edhe te ky vëllim hasim nëpër secilin cikël fjalëformën In Tima së bashku me vitet, kur është shkruar poezia. Nuk kemi të bëjmë me një epikë në sensin e Homerit apo të poemave narrative, por me një epikë të brendshme, që ndodh në hapësirën e subjektivitetit. Është një konstruksion letrar figurativ, jo një zhanër i mirëfilltë. Kjo është karakteristikë e rëndësishme e epikës: zhvillimi në kohë. Një poet që shkruan kaq libra lirike për dashurinë ndër vite, ndër stinë jete, ndër faza përjetimesh, e bën atë përvojë kaq të thellë dhe kaq të zgjeruar në kohë dhe po kaq të ndërlidhur me ndryshimet e vetvetes. Kjo kohë na duket se është kronologjike, por në të vërtetë është kohë e përjetimit. Nga ana tjetër, letërsia moderne e, gjithsesi, ajo postmoderne, krijon zhanre të reja, ndërthur njërin zhanër me tjetrin; e krijojnë atë hapësirë krijuese që quhet alkimi e zhanrit. Krijuesit letrarë shndërrohen në zhanërkrijues.

1. Këpuja lirike: fjalëforma In Tima

Fjalëforma “In Tima” është lojë fjalësh me fjalën intimë, që shënjon a personifikon herë një personazh lirik, herë atë çfarë është e brendshme, e thellë, intime e herë përmasën shpirtërore, të përzemërt dhe personale. Forma e përdorur nga poeti, “In Tima”, e ndarë, ruan tingullin burimor të fjalës, por krijon efekt vizual dhe fonetik që i jep veprës një identitet poetik dhe përjetimet e një atmosfere të misterit. Në kontekstin e krejt cikleve, kjo semantemë lidhet me përjetimet që ndizen në qenien e poetit brenda qenies tjetër, e shënjon dashurinë si zjarr të përjetshëm dhe e shqipton përjetimin e shpirtit në mënyrë të plotë dhe të pandarë. Ndërthurja e “In” + “Tima” sugjeron një udhëtim drejt thellësive të një qenieje, shënjon një hyrje në atë pjesë të qenies së dashurisë ku ndjenja dhe pasioni janë të paprekura dhe të shenjta.

Kështu, kur poezia e përdor këtë motiv, poeti shprehet: “I tëri brenda teje ndizem”, atëherë ndjenja e dashurisë përjetohet si zjarr që lind dhe digjet brenda brendësisë së tjetrit, që përkon me kuptimin e intima. Semantema e tillë e përforcon dimensionin intim dhe përjetues: lexuesi ndihet jo vetëm vëzhgues, por edhe pjesëmarrës në shtrirjen e dashurisë, pritjes dhe afërsisë shpirtërore. “In Tima” përpos vlerës estetike, është një semantemë që përmbledh gjithë ciklet poetike: dashuri e brendshme, pasion shpirtëror, pritje, zjarr që digjet, dhe një përjetim i thellë i intimitetit dhe shpirtit.

Nëse epika klasike ka protagonistë që zhvillohen si te Euridika e Orfeu, apo si te Dante e Petrarka, në këtë rast poeti Sabit Rrustemi i kthehet tematikës së dashurisë në katër vepra të ndryshme, e thellon përvojën, e kompleksifikon ndjesinë dhe e rishkruan edhe pozicionin e vet ndaj saj. Në këtë rast, zhvillimi është emocional, filozofik, estetik. Katarza është kulmi i epikës tragjike, po edhe i lirikës së thellë. Në këtë rast, në fund të një epike lirike për dashurinë, ka një pranim të mungesës, ka ndryshim të pozicionit ndaj dashurisë, ka çlirim emocional përmes artit, ose thjesht vjen një ndriçim i brendshëm me burime nga rrëfimi lirik.

Kësisoj, kemi të bëjmë me një përmasë të gjerë emocionale, me trajtim të thellë dhe të shumanshëm të dashurisë, që nga pasioni te zhgënjimi, që nga mungesa te kujtimi, që nga ekstaza te humbja. Në letërsinë moderne, këta kufij zhanrorë janë zbutur. Termi epikë lirike që e përdorëm në fillim, përdoret figurativisht për ta përshkruar një vepër me përmasa të gjera lirike, që arrin të ndërtojë një botë përjetimesh po aq të gjerë dhe të thellë sa një epikë tradicionale që e ndërton një botë ngjarjesh.

2. Poezia si rrëfim intim
ose dialogu i brendshëm me dashurinë

Kështu, te cikli i parë PËR SHPIRTIN TËND (In Tima, 2021), këto poezi përbëjnë një cikël lirik dashurie me frymë të pastër emocionale, ku ky motiv shfaqet si proces i shkrirjes së akullit të pritjes, i ngrohjes së shpirtit, i bashkimit të qenieve dhe i ndriçimit të brendshëm. Në tërësi, këto tekste ndërtojnë një unazë poetike që fillon me afrimin dhe përjetimin e ndjenjës (“Acarin e dejve të pritjes e shkriva”) dhe mbyllet me rilindjen dhe përjetësimin e saj në dimensionin e natyrës dhe të frymës (“Vjersha e pranverës”). Te kjo poezi hasim një metapoemë: ajo flet për vetë aktin e shkrimit poetik si mënyrë dashurie. Poezia bëhet forma e përjetësimit të ndjenjës, ku “mot për mot vjershën më të bukur po e shkruan Pranvera”. Dashuria dhe poezia janë të pandara, njëra ushqen tjetrën, duke u bërë trajta themelore e jetës shpirtërore.

Poezitë janë rrëfime intime, në vetën e parë (“trokita”, “mbes”, “të pres”), që ndërtojnë një dialog të brendshëm me dashurinë.

Ndërkaq, te lirika “Acarin e dejve të pritjes e shkriva” na shfaqet një poezi e butë, e ndërtuar mbi metaforën e “shkrirjes së acarit”, pra, të shkrirjes së pritjes, vetmisë dhe ngrirjes shpirtërore nëpërmjet ardhjes së dashurisë. Dashuria përjetohet si forcë e ngrohjes dhe rilindjes; poeti “trokiti” në portat e jetës së tjetrit dhe hyri “me fytyrë mali”, imazh që bashkon thjeshtësinë, qëndrueshmërinë dhe përkorjen e natyrës.

“Nxito drejt meje” thotë më tutje poeti. Një poezi e shkurtër, e përqendruar dhe e sinqertë. Këtu, mungesa e dashurisë është e barabartë me gjysmimin e qenies:

Pa Ty
si pa gjysmën tjetër
nuk përmbushëm.

Krahasimi me “qiejt ku nuk na arrijnë retë” përçon pastërtinë dhe përtejshmërinë e ndjenjës. Poezia i afrohet formatit të një madrigali modern, me pak vargje, por me përqendrim të madh emocional dhe ritmik. Ky cikël poetik e ndërton rrugëtimin e dashurisë përmes stinëve të shpirtit: nga ftohtësia e pritjes, në ngrohjen e përqafimit, në trazimin e mungesës, dhe, më në fund, në rilindjen e pranverës.

E, pra, boshti tematik i tërë cikleve është dashuria, larg një ndenjeje të thjeshtë romantike; na vjen si përvojë ekzistenciale që shkrin ndarjet, vetminë dhe pritjen.

Në poezinë e parë, “Acarin e dejve të pritjes e shkriva”, dashuria shfaqet si fuqi. Në shumë poezi, dashuria përjetohet nëpërmjet mungesës dhe pritjes, që bëhen pjesë e natyrshme e ndjenjës. Dashuria shfaqet si dritë, nxehtësi dhe shkrirje, si natyrë e pasqyrë e ndjenjës: Mali, lulebora, trëndafili, era, qielli, pranvera, bari, kumbullat, janë figura të brendshme të dashurisë. Poeti krijon një univers natyror të personifikuar, ku secili përbërës figurativ e lirik reflekton ndjenjën njerëzore. Në “Vjersha e pranverës”, për shembull, dashuria rilind bashkë me stinën, duke e bërë pranverën simbol të jetës dhe të poezisë. Këndohet bashkimi trupor si shenjtërim shpirtëror, si te poezia “Përngjitur trupit tënd jam”, ku dashuria trupore paraqitet me një pastërti rituale. Erotizmi është i përmbajtur, është një eros estetik e që sublimohet në përqafim shpirtëror. Aty poeti këndon edhe për kujtesën, përjetësinë dhe shpresën. Dashuria ruhet përtej kohës, si forcë e pashuar që i mbijeton zhdukjes, ndarjes, madje edhe vdekjes. Në “Shpendshkruara ime e dashur”, poeti i drejtohet një dashurie që është larg ose e pakapshme, por që vazhdon të mbajë gjallë kujtesën e tij, duke u shndërruar në poezi.

3. Përmasa ontologjike e dashurisë

Edhe cikli “I tëri brenda teje ndizem” (In Tima/2022), si pjesë e vazhdimësisë së poezive, shfaq dashurinë si fenomen shpirtëror, intensiv dhe përjetësisht i gjallë, duke e përforcuar atë dimension të përjetësisë, pritjes dhe ndjeshmërisë së brendshme. E prezanton dashurinë si forcë ekzistenciale dhe shpirtërore, e cila ndriçon dhe ngjiz qenien, depërton në kohë e hapësirë dhe kërkon bashkimin shpirtëror me të dashurën. Shqiptohet poetikisht dashuria si zjarr i brendshëm dhe energji shpirtërore, por edhe si pritje e dashurisë, që shfaqet si proces i vazhdueshëm, i tensionuar, por i shpërblyer kur çasti i përbashkët vjen, siç na ligjëron te poezia “Pritjet e mia s’i bart as lumi”; dashuria perceptohet si forcë që qëndron, pavarësisht distancës dhe kohës, duke u ngjizur brenda shpirtit si pritje e përjetshme. Dashuria kuptohet dhe trajtohet si përjetësi dhe si përjetim universal. Poezia e përdor hapësirën e pafund (“Udhë e gjatë pafundësisë që s’preket”) për të dëftuar se dashuria shkon përtej kufijve fizikë dhe kohorë. Madje, dashuria përtej ndarjes fizike, dashuria si bashkim i frymës, dashuria si mjekim dhe shëlbim, përbëjnë nëpër këto cikle dimensionin ontologjik, meqë DASHURIA është ELEMENT I QENIES. Poeti thotë: “Ajo që do ta ndjej dhe nesër”, e shqipton dashurinë si rrënjë, tokë, element jetësor që ripërtërihet:

Pjesëve të mia të nëndheshme
si ai shi i vonë vjeshte
depërton deri në fundin e rrënjëve.

Këtu dashuria merr trajtën e ciklit natyror të jetës: mbjellje, shkulje, ringjallje. Përjetimi është simbiotik: njeriu dhe dashuria janë si bimë që ndihen në një frymëmarrje të përbashkët.

Në poezinë “Nën pluhurin e harresës që bie”, poeti arrin në përsiatje melankolike. Harresa është metafora e karakterit kalimtar të kohës, por dashuria mbetet e ruajtur si kujtesë estetike, në dritën, në agun, në përfytyrimin poetik:

Ta kesh dhuratë prej meje
për një Ditë që posa u lind.

Poeti e sfidon kohën, atëherë kur dashuria këndohet si bërthamë dhe themel e ekzistencës. Një tipar i përbashkët është dallimi midis kohës fizike dhe përjetësisë shpirtërore: dashuria nuk plaket, nuk shuhet, nuk ndahet nga pritja ose mungesa. Poezia përdor kohë të shtrembëruar, ku nata, harresa, ditët dhe vjeshtat nuk e dobësojnë ndjenjën:

Kohës që mosha nuk e plakë…
vrushkuj zjarri që ndizen e s’shuhen dëshirash.

Të gjitha poezitë sillen rreth një dashurie të përjetshme dhe totale, ku subjekti liriko-narrativ nuk ekziston veçmas, por bashkohet me të dashurën në një puls të vetëm shpirtëror. Dashuria shfaqet si fuqi krijuese dhe energji që lëviz brenda trupit dhe shpirtit, duke shkrirë identitetin dhe duke e bërë përjetësi përtej mungesës dhe kohës:

Fryma ime Ti je
e gjithçkaja në këtë botë.

Poezitë janë të pasura me semantemën “In Tima” (intima): ato ndodhen në hapësirat e shpirtit, në trupin dhe gjymtyrët e dashurisë, duke krijuar një atmosferë intime dhe të përvetësuar. Dashuria si univers dhe frymëzim universal na shfaqet gjithandej nëpër tërë ciklet. Ndërsa dashuria personale zgjerohet në një dimension universal. Kjo ndjesi dashurore nuk është vetëm mes dy qenieve; ajo transcendon dhe përçon energji për botën dhe ekzistencën:

Si do t’rrojë kjo botë
pa tonën dashuri?

Pikërisht, këto poezi krijojnë një univers intim, shpirtëror dhe të përjetshëm, ku dashuria është fuqi krijuese, energji e gjallë dhe puls i botës. Këto janë disa punkte te cikli “Pritjet s’kanë ku prehen”, një reflektim mbi dashurinë, pritjen dhe përjetësinë e mungesës, ku pritja shndërrohet në gjendje ekzistenciale dhe shpirtërore, ndërsa dashuria është dritë, zjarr dhe energji e pashuar, që jeton përtej kohës, është trualli me vendet e dashurisë, të cilat bëhen topografi shpirtërore për memorien dhe përjetësinë. Universi i brendshëm shpreh dashurinë që nuk gjen prehje, por që jeton në poezi dhe kujtesë.

Herën tjetër poeti përdor edhe figurën e oksimoront poetik: mosardhjen tënde e pres. Poeti bën dallimin midis çmendurisë dhe dashurisë: edhe më i çmenduri nuk mund të besojë në mungesën e të dashurit, por poeti qëndron i vendosur. Poezia është një ritual i pritjes, ku mungesa shndërrohet në një prezencë shpirtërore, dhe pritja vetë bëhet e domosdoshme.

4. Nga folësi introspektiv deri te folësi proteik

Folësi lirik i kësaj poezie shfaqet i shumëzuar në shumë gjendje a situata shpirtërore, si një fenomen letrar ku zëri lirik nuk është një i vetëm, por një mozaik i folësve, secili me ndjeshmëri, intensitet dhe qasje të veçantë ndaj dashurisë, pritjes dhe kohës. Ky koncept paraqet kompleksitetin shpirtëror dhe universalitetin e ndjenjave në poezinë e tij.

Në poezinë e Sabit Rrustemit, zëri lirik nuk është i njëjtë në çdo varg. Ai paraqitet në forma të ndryshme, duke rrezatuar e përftuar dimensione të ndryshme të dashurisë, pritjes dhe lidhjes me hapësirën dhe kohën. Folësi lirik është i ndjeshëm, introspektiv, meditativ, shpirtëror, i flaktë, i lidhur me natyrën, madje edhe admirues e respektues. Secili folës ka një mënyrë unike për ta perceptuar dashurinë dhe për ta përjetuar pritjen;

folësi introspektiv dhe i ndjeshëm, është i zhytur në vetmi, ku dashuria shfaqet si objekt i shpresës dhe besimit: “Mosardhjen tënde e pres”. Folësi i durueshëm dhe ai shpirtëror, dashurinë e mat përmes zemrës, jo kohës:

Vetëm orë që e mat kohën e pritjes
nuk po shoh e nuk po gjej
përveç zemrës

Ai e ndjen dashurinë si një ritëm të përjetshëm, ku pritja bëhet e pashmangshme, por Folësi është i lidhur me natyrën dhe vendlindjen, ku Çepuri, dielli, era dhe shtegu bëhen bashkudhëtarë të ndjenjës:

Çepurin e zë në profil
dhe vetullën time të zgjatur në pritje.

Dashuria dhe pritja shndërrohen në një ritual të përditshëm, pjesë e ekosistemit shpirtëror të folësit.
Folësi i flaktë i dashurisë është ai ku erosi perceptohet si zjarr i brendshëm dhe i rrezikshëm:

Çdo pore të trupit
ma ka pushtuar dashuria
dhe ndjenjat m’i dogji për fije
si zotat

Rri larg këtij zjarri
që po përzjarret kaq shumë brenda meje
se nuk jam fati yt
mëkatarja ime
e lashtë sa vetë Eva

Ky folës i shumëzuar i hap mundësi poetit ta qëmtojë dashurinë nga këndvështrime të ndryshme, duke krijuar një univers shpirtëror, ku ndjesitë dhe situatat emocionale përjetohen në të njëjtën kohë, siç janë: pritja, mungesa, adhurimi, përkushtimi, lidhja me natyrën dhe universaliteti i dashurisë.

Folësi Proteik i Sabit Rrustemit është një krijesë e larmishme përjetimesh që mund të adaptohet ndaj çdo situate emocionale dhe hapësinore. Ai përjeton dashurinë si një univers të pakufizuar ndjenjash, ku pritja, dëshira, përmallimi dhe adhurimi ndërthuren në forma e mënyra të ndryshme. Transformimi i folësit lirik, aq sa është paraqitje e një emocioni, po aq është edhe një mënyrë për ta hulumtuar thellësinë e dashurisë dhe vetvetes.

Në këtë mënyrë, lexuesi nuk ndeshet me një zë të vetëm, por me një orkestër zërash lirikë, secili me tonalitet dhe ritëm të veçantë, duke i dhënë poezisë së Rrustemit një përmasë të pasur dhe të shumëfishtë, që rrezaton universalitetin e ndjenjës dhe përjetimin e dashurisë si një fenomen shpirtëror dhe tejkohor.

5. Çepuri si univers poetik

Si në librat tjerë poetikë, edhe te ky vëllim shfaqet Çepuri si toponim, i shndërruar në simbol poetik të lidhjes mes vendlindjes, trupit dhe përjetimit.

Mund të të gostit me një vapë mesdite
këtu buzë Çepurit e buzëve të mia
tek përcëllohen nën diell
e digjen në pritje

Peizazhi i natyrës bëhet peizazh shpirtëror. Çepuri, si vend konkret, trajtohet si hapësirë e përjetimit, një vend që bart kujtesën, ndjenjën dhe përvëlimin e dashurisë. Nëpërmjet bashkimit “Çepurit e buzëve të mia”, poeti krijon një bashkim mes topografisë dhe trupit, duke e bërë vendin pjesë të vetes, një “peizazh të brendshëm”.

Te vargjet:

Një grishë e hershme Çepuri
kah dritarja sillej
për t’i çukitur e zgjuar organet e mia të fjetura
e të mërdhita nga bora që ra
fundit të kësaj stine në ikje

Çepuri kalon nga përvëlimi i vapës në një prani të butë, pothuaj mistike, që zgjon ndjesinë dhe trupin pas një gjumi të gjatë dimëror. Shfaqet si forcë e gjallë që ndërhyn në jetën e folësit. Ai vjen si “një grishë e hershme”, një thirrje, një frymë që zgjon kujtesën, por i përtërin edhe organet e brendshme të përjetimit, pra shpirtin, ndjeshmërinë, trupin poetik. “Çepuri kah dritarja sillej” shfaqet si imazh i personifikuar ivendlindjes, që vjen vetë drejt poetit; vendi kthehet në qenie të gjallë, e gjallëron poetin. Bora dhe stina në ikje shërbejnë si kontrast i ftohtësisë që Çepuri e shkrin, duke sjellë ngrohtësinë e kujtesës dhe të dashurisë. E, pra, Çepuri bëhet simbol i rilindjes, i ngjalljes së ndjeshmërisë dhe i rikthimit te vetvetja përmes kujtesës së vendlindjes.

Diku tjetër poeti këndon:

Nëpër mjegull çaj
nga rrëza e Çepurit
deri në Maje te ajo Tumë Ilire

Vargjet janë të shkurtra, por përmbajnë një peshë të madhe domethënieje dhe një shpirt të gjallë poetik. Personazhi lirik mban një lëvizje vertikale (çaj): nga rrëza në maje, që në poezinë tonë përgjithësisht simbolizon rrugëtimin e brendshëm, kthimin te rrënjët dhe ngjitjen drejt një vetëdijeje më të lartë. Mjegulla është pasiguri, kujtesë e turbullt, kalim midis reales dhe mistikes. Kështu, poeti përshkruan një lëvizje që është më shumë shpirtërore se sa fizike. Rrëza e Çepurit është fillimi, themeli, vendi i lindjes. Ky topos lirik,, si në vargjet e mëparshme, bëhet pikënisje e identitetit poetik. Është rrënja e origjinës, por edhe e frymëzimit. Tuma ilire e lidh poetin me trashëgiminë, historinë dhe shtresën arkeologjike të kujtesës kombëtare. Këto tri vargje ngërthejnë tri rrafshe kuptimi: 1. topografik (një peizazh real që përshkruhet), 2. kujtesë dhe origjinë (kthim te vendlindja) dhe 3. rrafshi simbolik e metafizik (udhëtim i shpirtit drejt vetëdijes dhe trashëgimisë).

Te poezia “Shpendshkruara ime e dashur” lexojmë vargjet:

Marr një pjesë mëngjesi në Çepur
një fluturim mëllenje në ikje

Marr dhe një aguliçe të porsaçelur
e tërë pamjen që e shoh
nga kjo dritare e deri te ajo Plisore
në krye të Livadheve të Verdha

Ose te poezia “Ajo dëbon prej syve të mi natën”:

Ajo dëbon prej syve të mi Natën
Rrëzë Çepurit ma sjell Muzën
Ëndrra që s’ nxihet braktis unazën
Gota e zbrazur stërmbush kupën

Diku tjetër (poezia “Petaleve të saj”):

Asgjë nuk i them
as duart zgjas nga Ajo
të ta prek jo se jo

Vetëm e shikoj ashtu si është
aromën e Saj thith
universit të kësaj nate

Mund të jetë te Kroi Vashës
zgurrave të zbrazura të Çepurit

Na vjen edhe këtu një mozaik poetik i pasur, ku Çepuri, si toponim, por edhe si simbol, shfaqet në forma të ndryshme, gjithnjë i lidhur me kujtesën, ndjenjën dhe identitetin poetik. Çepuri është zgjim dhe ngrohtësi e kujtesës. Ai vjen si “grishë” që zgjon qelizat e fjetura të poetit nga mpirja e borës. Ka edhe funksion simbolik: Çepuri si burim i ringjalljes, si frymëmarrje e shpirtit pas ftohtësisë së stinës. te “Shpendshkruara ime e dashur” poeti shfaqet si mbledhës i imazheve të mëngjesit në Çepur : mëngjesi, aguliçja, pamja deri te Plisorja, formojnë një peizazh ndijor të përshkuar nga drita, lëvizja dhe me frymë fillimi. Ai shndërrohet në hapësirë të përjetimit estetik, është rrënjë e frymëzimit poetik. Ai nuk është më vetëm kujtesë, por burim i krijimit. Te poezia “Ajo dëbon prej syve të mi natën” Çepuri bëhet hapësirë e frymëzimit hyjnor. Muzat, ëndrrat dhe drita vijnë “rrëzë Çepurit”, duke e kthyer vendin në tempull poetik. Është vatër e muzës, urë mes dashurisë, artit dhe natyrës. Le ta lexojmë edhe poezinë “Petaleve të saj”. Është një lirikë më intime dhe më e përmbajtur, me ton melankolik e refleksiv. Tashmë ai përjetohet si vend i mungesës, strehë e kujtimit dhe e mallëngjimit.

Në të gjitha këto poezi Çepuri shndërrohet në një qendër gravitacionale poetike. Ai është topos i origjinës, ku kthehet secili përjetim dhe secila kujtesë. Është simbol i frymës jetësore, i lidhur me ritmet e natyrës : diell, borë, mëngjes, natë. Nëpërmjet tij, poeti përjeton ciklin e plotë të ekzistencës: ngjizje, zjarr, ftohje, ringjallje. Ai e ndërlidh dashurinë, vendin dhe shpirtin poetik në një njësi të vetme. Pra, Çepuri në poezinë e Sabit Rrustemit është metaforë e origjinës së ndjenjës dhe e përjetësisë së kujtesës, një vend ku poeti shkrin trupin me natyrën dhe kohën me ndjesinë. Është toponim që bëhet shpirt. Çepuri nuk është më ajo kodra e preferuar, sepse në poezi tashmë ai shndërrohet në bërthamë të përjetimeve poetike, një truall ku harmonizohen natyra, kujtimi, dashuria dhe koha. Është figurë e intimitetit, kujtimeve dhe rrënjëve shpirtërore. Në “Lëshohem tinëz pas teje”, vendet e Çepurit shfaqen si skena ku dashuria dhe pritja ndërthuren:

E më shpesh nga ajo Kodër Tume e Çepurit tim
e nuk të prek.

Në këtë mënyrë, Sabit Rrustemi e shndërron vendlindjen dhe natyrën në partner të dashurisë së tij, ku pritja dhe ndjenja bëhen një, duke krijuar një peizazh poetik që bashkon emocione, hapësirë dhe kohë në një tërësi shpirtërore.

6. Në dalje

Në gjithë këto poezi dashuria përjetohet si gjendje e pafund e pritjes. Në përgjithësi, subjekti poetik është gjithmonë i lidhur me një objekt të largët, shpirtëror dhe të idealizuar të dashurisë. Folësi lirik nuk kërkon posedim, por përjetim dhe praninë shpirtërore. Dashuria nuk shfaqet thjesht në përmasën fizike, por si një forcë metafizike, një kohë që nuk matet me orë, por me pulset e shpirtit. Pritja dhe mungesa janë elementë themelorë, që krijojnë tension emocional dhe intensifikojnë ndjenjat.

Subjekti poetik dhe folësi lirik i In Timës është një bashkudhëtar shpirtëror i dashurisë, ku pritja, mungesa, kujtimi dhe natyra ndërthuren në një univers të brendshëm emocional. Ai nuk kërkon posedim, por përjetësi dhe afërsi shpirtërore, duke e bërë çdo poezi një meditim mbi dashurinë, kohën dhe ekzistencën njerëzore. Sabit Rrustemi dhe In Tima e tij ofrojnë dy udhëtime shpirtërore të dashurisë, të cilat na tregojnë se dashuria është univers i brendshëm, pritje, sfidë dhe përjetësi. Dashuria tek Sabit Rrustemi dhe In Tima nuk është thjesht subjekt poetik; është univers shpirtëror, i pafund dhe i paprekshëm, që na mëson të presim, të ndjejmë dhe të kuptojmë thellësinë e ekzistencës njerëzore:

Një të dashur si ajo
edhe miliona vite po ta pres
s’më bëhet vonë.

Këto vargje përmbledhin universin e poezisë së tij: dashuria nuk ka kohë, nuk ka fund, dhe ekziston si hapësirë shpirtërore ku pritja, mungesa dhe kujtesa ndërthuren në një përjetësi të gjallë.

Tetor 2025

____________________

( Ky vështrim letrar u lexua më 18 tetor 2025, në hapje të edicionit të 16-të të Manifestimit VJESHTA LETRARE E GJILANIT, me rastin e përrurimit të botimeve të reja në poezi, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” si dhe biblioteka e qytetit “Fan S. Noli”)