“Varg e Vi” dhe Orkestra Frymore “Selman Vokshi” me koncert në Bojaninë
Të dielën, më 2 nëntor 2025, u realizua një performancë muzikore nga Orkestra Frymore “Selman Vokshi”, në parkun “Bojanina” në Gjilan.
“Orkestra marshoi me instrumente rreth e përqark parkut dhe lagjes, duke krijuar emocione të veçanta para publikut dhe banorëve të Bojaninës”, njofton organizata “Varg e Vi”.
Më pas, në solo, duete dhe grupe më të mëdha, u shpërndanë instrumentistë të ndryshëm, para objekteve të banimit, duke argëtuar pjesëmarrësit në park dhe banorët që dilnin në ballkonet e banesave të tyre.
Pas shpërndarjes në pika të ndryshme, orkestra u bë bashkë dhe shfaqi një koncert me këngë të ndryshme shqipe.
Në fund, pjesëmarrësit dhe banorët e lagjes, u ndalën për koktell në park, me ushqime e pije nga Viva La. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Art for Everyone”, i zhvilluar nga Varg e Vi, me mbështetje financiare nga GIZ-i.
“Projekti ka për qëllim funksionalizimin e hapësirave publike urbane, inkurajimin e aktiviteteve kulturore dhe nxitjen e gjithëpërfshirjes. Projekti “Art for Everyone” do të ketë edhe shumë aktivitete të tjera, me një kohëzgjatje prej 10 muajsh”, thuhet në njofitmin e organizatës “Varg e Vi. /2LONLINE/.
