Në “Vjeshtën letrare”, shpaloset dhe vlerësohet portreti letrar i shkrimtarit Jusuf Buxhovi
Këtë të shtune, kanë vazhduar aktivitetet e “Vjeshtës letrare të Gjilanit”, me aktivitetin ku u shpalos dhe u vlerësua portreti letrar i shkrimtarit Jusuf Buxhovi, njëri nga shkrimtarët e Kosovë dhe fitues i vjetëm i Çmimit letrar, “Beqir Musliu”, si çmimi më prestigjioz letrar që e jep Komuna e Gjilanit, për vlera të mirëfillta letrare, për shkrimtarët që kanë rrumbullakosur një karrierë të begatshme me prurje të reja dhe vlera artistike për letërsinë.
Për krijimtarinë e bujshme të tregimtarit, romansierit, historianit e publicistit Jusuf Buxhovi, në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” folën Ibrahim Kadriu, Kaltrinë Berisha, Arsim Halili, Blinerë Hajdari, Nexhat Rexha dhe Shefqet Dibrani.
Me deklamime, fragmente nga krijimtaria në prozë e Jusuf Buxhovit lexuan Linditë Ramushi Dushku dhe Arbisë Krasniqi.
Para krijuesve dhe artdashësve foli edhe vetë shkrimtari Jusuf Buxhovi, i cili tha se ndihet dyfish i nderuar. Sipas tij e para, si laureat i çmimit letrar “Beqir Musliu” dhe së dyti që është këtu në mes krijuesve.
Këtë veprimtari letrare, e udhëhoqi shkrimtari Sabit Rrustemi, drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu”, i cili tha se ky është edicionit të 16-të i manifestimit tradicional kulturor, “Vjeshta letrare e Gjilanit”.
Sipas tij kjo ka vetëm një mision afirmimin e vlerave letrare, librave të mirë, shkrimtarëve që i kanë dhënë, po i japin dhe do t’i japin letërsisë shqipe, pavarësisht nga vijnë, ku jetojnë dhe veprojnë.
Përndryseh, krijueseve dhe artdashësve në këtë veprimtari iu shpërnda edhe numrin i 47 i revistës letrare “Agmia”, numër që i përkushtohet siç është bërë tashmë traditë, fituesit të përvitshëm të këtij çmimi, botimin të cilin e ka ndihmuar MKRS-ja përmes Departamentit të kulturës, përmes një thirrjeje publike për vitin 2025. /2LONLINE/
