Cilat premtime do ta rregullojnë këtë shtyllë elektrike, për ta evituar rrezikun për qytetarë?!
Kjo shtyllë elektrike bashkë me telat e vjerrur, që ndodhet në Zabel, ish rruga “Maritrët e Gjilanit”, tani me emër të ri “Azem Robelli”, ka disa ditë që ndodhet në këtë gjendje dhe paraqet rrezik të përhershëm për banorët e kësaj rruge dhe për ata që e frekuentojnë.
Deri më tani askush nuk merr mundin ta evitojë këtë rrezik, ani se banorët thonë se shqetësimet e tyre i kanë adresuar në institucionet përkatëse.
Ata kanë frikë se shtylla mund të bije dhe të rrezikojë ndonjë qytetar, por edhe telat e vjerrur po ashtu paraqesin rrezik. Për më tepër, qytetarët kanë vendosur edhe qese, si paralajmërim për të tjerët, që mund të mos e dinë, se në atë pjesë telat janë shumë poshtë saqë mund të thuhet se në një kthesë, automjetet më të larta, edhe nuk mund të qarkullojnë pasi do të pengoheshin nga ato tela.
Është kohë fushate dhe ndoshta ata që do të mund të vijnë të kërkojnë votë në këtë pjesë, do të ballafaqohen me këtë rrezik, për ta futur pastaj në listën e premtimeve, për ta rregulluar!
Kjo ndoshta duket ironike porse, sidomos kandidatët për Asamble, duhet ta dinë se pikërisht me këso gjëra duhet të preokupohen, sepse nga ata nuk kërkohet të rregullojnë çështje autostradash, të merren me bisedime për çështje të Kosovës, etj. Natyrisht institucionet përkatëse janë ato të parat nga të cilat duhet drejtuar gishti drejtues, në veçanti ndaj KEDS!
Të parandalojmë para se të merremi me pasoja! /2LONLINE/
