Rektori i UKZ-së dhe Rektorja e PH Zug takuan Kryetarin e Komunës së Gjilanit
Në kuadër të vizitës së delegacionit nga Pädagogische Hochschule Zug (PH Zug), Zvicër, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me ekipin udhëheqës të universitetit dhe Rektorja e PH Zug, Prof. Dr. Esther Kamm, me bashkëpunëtorë, zhvilluan një takim zyrtar me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni.
Takimi u përqendruar në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe krijimin e mundësive për projekte të përbashkëta që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit në nivel lokal dhe ndërkombëtar.
Kryetari Hyseni mirëpriti vizitën e delegacionit nga Zvicra dhe shprehu mirënjohje për interesin e tyre në njohjen e kapaciteteve dhe iniciativave të UKZ-së. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve dhe institucioneve komunale, duke vlerësuar se ky partneritet krijon mundësi të reja për studentët, mësimdhënësit dhe komunitetin në përgjithësi.
Nga ana e tyre, Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, dhe Rektorja e PH Zug, Prof. Dr. Esther Kamm, theksuan se bashkëpunimi mes dy institucioneve nuk ka vetëm një dimension akademik, por edhe një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e praktikave të mësimdhënies, përgatitjen profesionale të studentëve dhe zgjerimin e rrjetit ndërkombëtar të universitetit.
Rektori Dërmaku vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si PH Zug për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e stafit dhe studentëve, dhe ndërtimin e mundësive të reja për hulumtime shkencore dhe edukim gjithëpërfshirës:
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për projekte të përbashkëta që lidhen me trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve, mobilitetin akademik, si dhe iniciativat që nxisin arsimin gjithëpërfshirës dhe përfshirjen e çdo nxënësi në procesin mësimor.
Rektorja e PH Zug Prof. Dr. Esther Kamm, shprehu gatishmërinë për të ofruar eksperiencë, modele dhe praktika të suksesshme nga sistemi zviceran i arsimit, duke e konsideruar këtë bashkëpunim një mundësi të jashtëzakonshme për ndërtimin e kapaciteteve profesionale arsimore në Kosovë, duke sjellë përfitime konkrete për studentët, mësimdhënësit, stafin akademik dhe komunitetin e Gjilanit në përgjithësi. /2LONLINE/
