DYLON

Përkujtohet Heroi i Republikës së Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku

Përkujtohet Heroi i Republikës së Kosovës, rreshter Afrim Bunjaku
Avatar photo Redaksia

Nën patronatin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, sot u zhvilluan aktivitete solemne për shënimin e dyvjetorit të rënies heroike të Heroit Afrim Bunjaku.

Në orën 10:00, krerët shtetërorë, përfshirë kryeministrin në detyrë të RKS-së z. Albin Kurti, kryeparlamentarin z. Dimal Basha, ministrin në detyrë Xhelal Sveçla, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, përfaqësues të institucioneve vendore dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës, vizituan familjen e heroit, ku shprehën ngushëllimet dhe përkujtuan jetën dhe sakrificën e tij të paharrueshme.

EkoHigjiena

Në orën 10:30, pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku, u zhvilluan homazhe me pjesëmarrjen e kabinetit qeveritar, kabinetin e drejtorit të Përgjithshëm, familjarët e heroit Bunjaku, përfaqësuesve të institucioneve vendore e ndërkombëtare si dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës.

Gjatë homazheve u vendosën kurora me lule nga krerët shtetërorë dhe zyrtarët e institucioneve.

Në orën 15:00, akademia përkujtimore u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ku krerët shtetërorë dhe të PK-së theksuan rëndësinë e kujtimit të veprës dhe sakrificës së Heroit rreshter Afrim Bunjaku, si simbol i përkushtimit dhe trimërisë. /2LONLINE/

Në vijim keni fjalimin e drejtorit të Përgjithshëm të PK-së kolonel Gazmend Hoxha, të mbajtur në akademinë përkujtimore.

Fjalimi:

Jemi mbledhur sot për të kujtuar një ngjarje që shënoi me dhimbje, por edhe me krenari, historinë tonë të re, si dhe për të dhënë një mesazh solemn: se Kosova është dhe do të mbetet një shtet i lirë dhe një vend i sovranitetit dhe i drejtësisë.

Në orët e para të 24 shtatorit 2023, në Banjskë, një grup kriminel-terrorist, kreu një akt të rëndë të sulmit terrorist kundër rendit kushtetues të Kosovës. Kjo ishte sfida më serioze e sigurisë që nga shpallja e pavarësisë.

Policët e Kosovës, të cilët nuk kishin garanci për kthimin, por kishin guximin për të shkuar, menjëherë i dolën përpara këtij grupi terroristësh, ku në një përballje të përgjakshme, ra në krye të detyrës rreshteri Afrim BUNJAKU, ndërsa policë të tjerë u plagosën dhe sakrifikuan jetën për sigurinë e qytetarëve dhe për mbrojtjen e rendit kushtetues e sovranitetin e vendit.

Sot kujtojmë, me nderim të thellë, rreshterin Afrim BUNJAKU, i cili ra dëshmor në Banjskë duke mbrojtur vendin. Njëkohësisht, kujtojmë dhe përulemi para të gjithë dëshmorëve të Policisë së Kosovës, Enver ZYMBERI dhe dëshmorëve të tjerë, që me gjakun dhe jetën e tyre e kanë bërë uniformën e Policisë së Kosovës simbol të sakrificës dhe besnikërisë ndaj atdheut.

I përulemi me nderim të thellë kujtimit të tyre dhe iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe kolegëve, si dhe iu shpreh mirënjohje të thellë të gjithë policëve që luftuan me vendosmëri në atë ditë të errët!

Sakrifica e tyre është themel i demokracisë sonë dhe garanci për të ardhmen!

Ndërkohë sulmuesit të armatosur me armë të rënda, eksplozivë dhe me automjete të blinduara, arsenal i një ushtrie të tërë, u mbyllën brenda mureve të Manastirit të Banjskës.

Akti terrorist i atij mëngjesi, nuk ishte vetëm një sulm ndaj rendit kushtetues, por edhe një tentativë për ta shndërruar këtë Manastir nga një vend lutje në një fortesë lufte, akt ky që cenoi rëndë edhe vetë vlerat e institucioneve fetare.

“Kartolina e zjarrit” ishte e qartë për policët e Kosovës, të cilët në atë ditë të vështirë, në bazë të detyrimit moral dhe kushtetues, iu përgjigjën sulmit në kohë rekord, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe luftuan me orë të tëra, me kurajo dhe vendosmëri për të rimarrë kontrollin, duke e bërë të qartë se asnjë forcë, sado e organizuar, nuk mund ta gjunjëzojë shtetin tonë.

Ky grup nuk ishte një grup kriminelësh të zakonshëm, por një formacion paraushtarak i strukturuar dhe i organizuar, i stërvitur dhe i drejtuar me qëllim politik: të sfidonte shtetin e Kosovës, të trembte qytetarët pa dallim dhe të cenonte paqen në rajon.

Edhe një herë Kosova u sfidua nga Serbia, por edhe një herë Kosova tregoi se nuk përkulet para dhunës. Në këtë sfidë ishim të unifikuar dhe u përgjigjëm me një zë të gjithë: Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet qendrore dhe lokale, institucionet ligjzbatuese dhe të drejtësisë.

Përkundër arsenalit të rëndë me të cilin u përball, Policia e Kosovës reagoi me kujdes, me maturi dhe me profesionalizëm, duke neutralizuar sulmin pa cenuar personelin fetar, pa rrezikuar jetën e pelegrinëve, pa dëmtuar civilët lokalë dhe pa dëmtuar Kishën Ortodokse të Banjskës.

Kjo është dëshmi se Kosova edhe në çastet më të rënda, mbetet besnike ndaj vlerave të saj: mbron kufijtë dhe qytetarët dhe njëkohësisht ruan dhe respekton vlerat shpirtërore e kulturore pa dallim.

Plagët e kësaj ngjarje mbetën të hapura: familja e rreshterit Afrim BUNJAKU humbi djalin, bashkëshortin dhe babain e tyre; Kosova humbi një shërbyes të devotshëm dhe bota pa sërish fytyrën e vërtetë të Serbisë, se si vepron nën hije në vendin tonë, përmes strukturave të errëta të tij.

Të dashur familjarë të heroit Afrim BUNJAKU,

Dhimbja juaj që keni përballuar në heshtje, është edhe e jona!

Është pjesë e ndërgjegjes sonë!

Të nderuar të pranishëm,

Policia e Kosovës është dhe do të mbetet në shërbim të secilit qytetar të Republikës, pa dallim etnie, feje apo bindje.

Ne jemi forca e ligjit dhe e rendit kushtetues, e qytetarëve dhe e krejt vendit. Ky është burimi i besimit tonë dhe garancia që Kosova ecën e sigurt drejt së ardhmes.

Terroristët me në krye liderin e tyre Milan RADOIÇIQ, i cili e pranoi publikisht përgjegjësinë për sulmin, gjetën strehë në Serbi, pa u përballur me drejtësinë. Ky fakt e lëndoi dhe thelloi edhe më shumë plagën, duke treguar se paqja në Kosovë mbetet gjithnjë e kërcënuar, nga ata që nuk e pranojnë realitetin e një shteti të lirë dhe të pavarur.

Megjithatë, në këtë betejë kundër rendit kushtetues të Kosovës, ne nuk ishim dhe nuk jemi vetëm. Përkrah nesh qëndrojnë vendet mike të Kosovës, vendet e QUINT–it, BE-së dhe NATO-s, të cilat me vendosmëri e dënuan aktin terrorist dhe mbështetën të drejtën tonë për të mbrojtur lirinë dhe jetën e qytetarëve, andaj e gjithë bota demokratike foli qartë: sulmi i Banjskës ishte i paprecedent deri atë ditë!

Në krye të kësaj mbështetje qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lideri botëror i lirisë dhe i demokracisë. Pa përkrahjen e tyre historike, rruga e Kosovës drejt lirisë, shtetësisë dhe pavarësisë do të kishte qenë shumë më e vështirë.

Sot dhe gjithmonë, ne jemi mirënjohës për këtë miqësi të pakushtëzuar dhe të përjetshme!

Banjska do të mbetet në kujtesë se liria ka çmim dhe ky çmim paguhet me sakrifica. Kjo na mëson se:

• Kosova nuk është më vetëm dhe është pjesë e një bote të lirë, që udhëhiqet nga parimet e demokracisë, barazisë dhe drejtësisë.

• Liria dhe siguria nuk janë të falura përgjithmonë, por duhen mbrojtur çdo ditë.

• Gjaku i derdhur i policëve të Kosovës, të rënë duke mbrojtur vlerat demokratike, është themel i lirisë sonë dhe një thirrje e përjetshme për drejtësi, vigjilencë dhe unitet.

• Kosova po ecën e patundur drejt një të ardhme të pavarur, të qetë dhe të sigurt.

• Beteja e Banjskës e dëshmoi se betejat dhe luftërat nuk i fitojnë ata që kanë shumë armë, por ata që luftojnë për kauzë të drejtë dhe që kanë zemër, e këta ishim Policia e Kosovës.

Nga kjo ceremoni solemne, shprehim bindjen tonë se Kosova ecën përpara drejt vlerave demokratike, e bashkuar dhe e palëkundur, falë dëshmorëve të saj, sakrificës së bijave dhe bijve të saj, si dhe mbështetjes së aleatëve tanë strategjikë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që mbeten garancia më e fortë për paqen dhe demokracinë tonë!

Motra dhe vëllezër të armës policore,

Të nderuar të pranishëm,

Gjaku i derdhur në Banjskë, është besa e mbajtur për drejtësi!

Lavdi dëshmorit Afrim BUNJAKU!

Mirënjohje të thellë për policët e Kosovës, që çdo ditë ruajnë vendin dhe qytetarët!

Falënderim dhe respekt për aleatët tanë!

Rrofshin ata që mbrojnë lirinë!

Faleminderit!