Kushtrim Ibrahimi, synon postin e asamblistit – Është koha të vazhdojmë me punë të mira
Ndër ata që synon postin e anëtarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në zgjedhjet e tetorit është edhe Kushtrim Ibrahimi, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai tha se me krenari dhe vendosmëri, në këto zgjedhje komunale është bërë pjesë e listës më të mirë për Kuvendin Komunal, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, përkrah kryetarit, Alban Hyseni.
“Rruga ime në shërbim të qytetit ka nisur si aktivist i Lëvizjes, më pas si zyrtar, e së fundmi si Drejtor i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit në Gjilan. Gjatë kësaj kohe kemi realizuar projekte të rëndësishme, kemi zgjidhur probleme që për vite ishin harruar dhe kemi përballuar sfida të mëdha. Por kur ka punë, vullnet dhe besim, çdo pengesë kthehet në sukses për qytetarët tanë”, ka thënë ai.
Ibrahimi tha tutje se është koha të vazhdojnë, t’i përmbyllin projektet që i kanë nisur dhe të hapin rrugë për shumë të tjera që do ta ndryshojnë edhe më shumë Gjilanin.
“Le ta bëjmë këtë bashkë, për qytetin tonë, për të ardhmen tonë”, ka thënë Kushtrim Ibrahimi, kandidati i Vetëvendosjes për asamble komunale, në zgjedhjet e 12 tetorit. /2LONLINE/
