Zëri i punëtorëve të sektorit privat duhet të dëgjohet!
Mrika Krasniqi Shala, e cila është kandidate për Asamblenë Komunale në listën e PDK-së, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, thotë se punëtorët e sektorit privat, posaçërisht ata të shërbimit teknik që mbajnë mbi supe funksionimin e përditshëm të institucioneve publike, meritojnë dinjitet dhe shpërblim të drejtë.
“Nuk mund të lejojmë që ata që kujdesen për mirëmbajtjen, pastrimin, sigurinë dhe funksionimin teknik të objekteve publike të mbesin të nënvlerësuar”, thotë Mrika Krasniqi Shala.
Ajo thotë se si kandidate për Kuvendin Komunal të Gjilanit, zotohet se në momentin e parë që do të jetë pjesë e Kuvendit, do të kërkojë dhe do të angazhohet fuqishëm që paga e tyre bruto të jetë së paku 450 euro.
”Sepse puna e ndershme duhet të shpërblehet me pagë të denjë. Sepse dinjiteti i punëtorit është dinjitet i qytetit tonë”, thotë Mrika Krasniqi Shala. /2LONLINE/
