Pasioni për artin skenik, dashuri e paharruar e artistes Bedrije Rexhepi
Aktorja e kohërave të vjetra që akoma ndjehet shpirtërisht e mishëruar me teatrin.
Nga Isak N. Bilalli
Bedrije Rexhepi, është një emër pak i dëgjuar për shumë nga ne, sepse ajo jeton dhe vepron matanë oqeanit për më shumë se dy dekada por për ata që e njohin ajo është një figure që i mbeti besnike deri ne skajshmëri artit skenik.
Nuk pranon të quhet mërgimtare dhe e shkëputur nga Kosova sepse çdo ditë që jeton domosdoshmërisht e ndërlidh me zhvillimin kulturorë te mëmëdheut sepse në të kundërtën i duket sikur e braktis të kaluarën e saj të pasur artistike. Ajo pranon vetëm të trajtohet si pjesë e pandashme e Gjilanit, si pjese e Teatrit qe dikur ishte një nga aktoret qe shërbeu ne këtë institucion, jo se dëshiron te imponohet por vërtetë kështu ndjehet dhe si e tillë reflekton këtë ndjesi.
Bedrija i takon kastës së aktorëve që bashkë me të ndjerën Xhevahire Murtezi, Mejreme Berisha e Shpresa Vokshi ishin të parat femra që thyen tabute dhe paragjykimet duke u bërë pjesë e jetës aktive kulturore të fillim viteve ‘70ta duke shërbyer në teatrin e qytetit si aktore. Shoqëria kosovare atëbotë ishte përplot paragjykime e barriera në trajtimin e barabartë gjinor dhe sidomos në përfshirjen e femrës në jetën publike kulturore dhe këto vështirësi ishin evidente edhe për art bërësit në përfshirjen e femrave në teatër. Si vajzë e re, rikujton vështirësitë e kohës dhe pohon se e vetme nuk do arrinte asnjëherë të bënte këtë përkalim edhe pse zemra i rrihte fort për skenën.
Të gjitha meritat dhe vlerësimet për te ndërmarrë hapin drejt ndjekjes se ëndrrës se saj në ndjekjen e karrierës artistike i takojnë babait te saj i cili për kohën ishte një person me mendësi të hapur sa i përket edukimit kulturorë që edhe vajzat duhet të kishin këtë derë të hapur. Ajo pohon se prindi i saj ishte frymëzimi dhe shtysa kryesore për të ndjekur rrugën e artit duke i thënë se asaj i duhet të ndjek tik-taket e zëmrës se saj dhe te ishte vetvetja në çfarëdo rrethane, kur është në pyetje e ardhmja e saj. Bedrija thotë se babai i saj ishte edhe engjëlli i saj mbrojtës duke e inkurajuar të mos qaj kokën se çfarë njerëzit flasin nga smira dhe se njeriu pavarësisht djalë apo vajze duhet të ndjek rrugën që i kërkohet për të arrirë aty ku synohet.
Që Bedrija kishte shpirt artisteje dëshmon edhe fakti se ajo krahas skenës ishte aktive edhe në lëmine e muzikës si këngëtare e zhanrit popullor që ishte një disiplinë muzikore shumë e dashur për publikun e asaj kohe. Ne moshe fare të re ajo ishte pjesëmarrëse e festivaleve “Takimet e Majit” si anëtare e shoqërisë kulturore “Zenel Hajdini” e më vonë “Drita”. Ne cilësinë e një këngëtareje premtuese shpesh ftohej të këndonte përmes valëve të Radio Gjilanit të cilat regjistrime do të donte shumë të i posedonte por si duket arkivimi i dobët dhe periudha e luftës kanë bërë që këto këngë te regjistruara rezultojnë të humbura.
Përkundër dëshirës për këndim dashuria për skenën ishte më e madhe dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot e asaj dite.
Fillimi i karrierës së Bedrijes në teatër lidhet me emrin e regjisorit Muharrem Shahiqi i cili ishte skauteri i cili identifikoi talentin e saj dhe arriti që ta përfshijë në ansambël si pjesë e aktorëve të rinj që po i bashkoheshin teatrit. Bedrija nuk kishte shkollim adekuat për t’u angazhuar me kohë të plotë në Teatër por ishte talenti i saj që e beri të ishte pjesë e trupës në Gjilan. Ajo thotë se në teatër gjeti ngrohtësi të rrallë dhe gjithë kasta e aktoreve funksiononte si të ishte një familje e madhe ku secili mundohej të jepte maksimumin në shërbim të realizimit sa më të përkryer të shfaqjes.
Ajo vazhdon t’i mbaje të freskëta kujtimet se si realizonin provat e para dhe daljen para publikut, si moment me emocione të forta që e bënë atë të përjetonte si një nga ndjenjat me speciale që përjetohet.
Pyetjes se çfarë është skena për te?
Ajo shprehet gjatë provave, botëkuptimi për teatrin ishte një lloj shërbimi që njeriu e bën bazuar në dashuri dhe pasion por shpirtërisht inkuadrohesh në këtë ndjenjë kur ngjit shkallet e binës. Kur aktori/ja shfaqet në skenë fuqizohet një ndjenjë që prek dimensionet më të larta të komunikimit me publikun në të cilin rast ajo thotë se nuk isha me Bedrija por personazhi që luaja në rol.
Si të veçantë dhe një nga rolet më të dashura për të mbetet roli i nënës në shfaqjen “Dasmë në luftë” ku Bedrija luante krahas aktorëve, Sabedin Shahiqi, Mejreme Berisha e Shpresa Vokshi në të cilin rol ajo thellohet në vështirësitë psikologjike që një mëmë përballet me anëtarit e familjes. Për realizimin e këtij roli kërkohej shkathtësi artistike për te përcjelle ndjesitë e thella dhe vështirësitë psikologjike për te paraqitur rolin e një nëne që bart në kurriz barrën më të rëndë në familje.
Si e re në këtë rol dhe në role të tjera ajo shprehet se ndjente përgjegjësi të madhe profesionale sepse salla gjithmonë ishte plot e përplot me publik dhe në këto rrethana krahas përgjegjësisë edhe ndjenja e satisfaksionit është e madhe sepse në këtë kontekst Gjilani dallohet nga qytetet tjerë si teatri me publikun më të dashur si në sasi edhe ne cilësi. Në shfaqjet ku ajo ka luajtur suksesshëm janë edhe shfaqjet “Banesa e Përbashkët”, e “Kryet u hudrës” ku luajti krahas aktorëve Ruzhdi Mehmeti, Muharrem Sylejmani, Nexhmedin Ymeri e aktore te tjerë eminent, ndërsa regjisori më i preferuar i saj mbetet i madhi Muharrem Shahiqi.
Bedrija, krahas angazhimit në teater ishte aktive edhe në aktivitete kulturore muzikore gjë që e bën atë te ishte një artiste e përmasave universale dhe për të përshkruar këtë rrugëtim ishte pothuajse e pamundur.
Ajo ishte me fat që gjatë kësaj periudhe aktive, ajo takohet me artistin Zeqirja Rexhepi, tani bashkëshort i cili në asnjë moment nuk pushoi së suportuari në ndjekjen e karrierës së bashkëshortes së tij. Edhe sot e asaj dite bashkëshorti, artisti, piktori , violinisti Zeqirja Rexhepi vazhdon të jetë mbështetësi më i madh i së shoqes dhe ky raport është i ndërtuar në baza reciprociteti njerëzor e artistik.
Me pas, rrjedha e jetës artistike mori zhvillim tjetër dhe gjithë komuniteti artistik u ndodh përballë dhunës e diskriminimit te shtuar e për rrjedhoje u ndaluan edhe shfaqjet. Gjatë kësaj periudhe kur filluan presionet e pushtetit Serb drejtuar çdo institucioni kulturorë, Bedrija u detyrua të ridrejtojë velat nga familja e saj sepse ishte e pamundur të vazhdonte karrierën nën rrethana të tilla ku duhej medoemos t’i jepte prioritet dhe dedikim obligimeve familjare të shumta.
Më pas, si shume familje Kosovare nën rrethana te luftës Bedrija me familje detyrohet të largohet nga Kosova dhe fillon një jetë te re në Kanadanë e largët.
Edhe pse larg ajo vazhdon te jetë bija e teatrit, dhe ndjek aq sa mundet jetën kulturore në Gjilan e Kosovë. Teatri dhe miqtë e saj artistë që jetojnë janë shoqëria e saj më e mirë me të cilët vazhdon të kalojë kohën më të çmuar. /2LONLINE/
