DYLON

Isa Agushi konfirmon zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet lokale

Isa Agushi konfirmon zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet lokale
Avatar photo Redaksia

Isa Agushi, kryetar i Bashkimit për Ndryshim Anamorava (BNA), të hënën bëri me dije se ai më tani ka marr besimin e subjektit që drejton për t’u kandiduar për kryetar të Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet lokale që parashihen të mbahen në tetor të këtij viti.

Agushi ka bërë me dije se BNA-ja është subjekt serioz që respekton statutin e partisë dhe në takimet e fundit të kryesisë të mbajtur në lidhje me këtë çështje, unanimisht ka marr bekimin e për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit.

EkoHigjiena

Ai tha se edhe lista e kandidatëve që do të garojnë për anëtarë të kuvendit do të jetë gati në afatin optimal dhe se, ajo që garantojnë është se do të jetë një listë vërtetë përfaqësuese e qytetarit.  

“Unë jam kandidat më i besueshëm te qytetarët sesa kandidatët tjerë që mund të jenë të partive tjera, ata që po përfliten, sepse unë asnjëherë nuk i kam gënjyer e as zhgënjyer qytetarët gjilanas. Të tjerët, nga të gjitha subjektet politike pa dallim, kanë pasur pushtet dhe qytetari i ka provuar, është zhgënjyer me ta dhe edhe i ka ndëshkuar me votë duke kërkuar ndryshimin. E kësaj radhe këtë ndryshim qytetarët do ta bëjnë duke e mbështetur BNA-në, mua si kandidat për kryetar por edhe listën e kandidatëve për anëtar kuvendi”, ka thënë Isa Agushi, kreu i BNA-së, transmeton 2LONLINE.com.

Kur jemi te ky subjekt, Agushi thotë se atë nga subjektet tjera e dallon fakti që nuk i ka gënjyer asnjëherë qytetarët sikurse subjektet tjera, po ashtu atë individualisht, si anëtar i Kuvendit Komunal për më se tetë vite, e kanë parë që ishte i drejtpërdrejtë dhe gjithherë ka folur dhe i ka mbrojtur interesat e qytetarëve duke mos e pranuar kushtëzimin nga askush.

“Po ashtu ne jemi subjekt vendor që nuk kemi shefa në Prishtinë dhe të gjitha vendimet ne i marrim duke u bazuar në interesin qytetar”, thotë në fund Isa Agushi, kreu i Bashkimit për Ndryshim Anamorava, njëherësh kandidat për kryetar komune, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti. /2LONLINE/