DYLON

Riad Rashiti: Stadiumi i Gjilanit, lajm i mirë për qytetarët, por jo për ata që kishin plane të tjera

Riad Rashiti: Stadiumi i Gjilanit, lajm i mirë për qytetarët, por jo për ata që kishin plane të tjera
Avatar photo Redaksia

“Nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e stadiumit të Gjilanit është padyshim një lajm i mirëpritur për sportin dhe qytetarët e komunës. Pas këtij lajmi pozitiv qëndron një histori më e errët që ngre shumë pikëpyetje rreth mënyrës si është menaxhuar ky projekt ndër vite”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së së Gjilanit.

Sipas tij, Komuna e Gjilanit ka humbur më shumë se tri vite në procedura të zvarritura të projektimit dhe tenderimit për këtë stadium. Disa herë janë ngritur dyshime serioze se projektimi dhe kriteret e tenderit janë manipuluar me qëllim të favorizimit të një kompanie të caktuar dhe përfitimeve personale të zyrtarëve komunalë.

EkoHigjiena

Disa nga faktet shqetësuese, sipas Rashitit, janë:

• Projekti i stadiumit u ndryshua me arsyetimin për “përmirësim”, por efekti praktik ishte rritja e kostos për disa miliona euro.

• Tenderi fillestar i komunës përmbante kritere të cilat u cilësuan të jashtëligjshme nga autoritetet përkatëse.

• OSHP e anuloi këtë tender disa herë për shkak të shkeljeve të konstatuara në procesin e prokurimit.

• Për shkak të këtyre shkeljeve, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mori përsipër të zhvillojë procedurat e tenderimit.

• Tenderi i realizuar nga ministria rezultoi 2.2 milion euro më i lirë sesa ai i komunës – një diferencë e konsiderueshme që ngre dyshime të mëdha.

• Në vitin 2024, komuna kishte përzgjedhur një ofertë prej 14,997,804.00 euro, në kundërshtim me ligjin e prokurimit, ndërkohë që Ministria ka nënshkruar kontratën për të njëjtin projekt për vetëm 12,783,110.01 euro.

Rashiti i PDK-së së tha se këto të dhëna duhet të shqetësojnë çdo qytetarë dhe taksapagues të Gjilanit. Diferenca prej mbi 2.2 milionë eurosh është një barrë e rëndë për buxhetin publik dhe tregon përpjekje për keqpërdorim të fondeve shtetërore.

“Alban Hyseni, si kryetar i komunës, duhet të japë shpjegime të qarta për këtë dallim të madh në çmim dhe për dështimet në menaxhimin e këtij projekti. Heshtja e tij për çmimin, po maskohet me kinse gëzimin e tij dhe shprehjen e mosbesimit nga ana e tij se ky projekt po nis më në fund”, thotë tutje i pari i PDK-së së Gjilanit.

Ai shtoi se ky rast është vetëm një nga shembujt që tregojnë se qeverisja komunale ka nevojë për transparencë dhe përgjegjësi më të lartë. Organet e hetuesisë duhet të vazhdojnë punën e tyre për të zbardhur të gjitha aspektet e këtij rasti, sepse drejtësia nuk duhet të vonojë.

“Qytetarët e Gjilanit meritojnë më shumë. Viti 2025 duhet të jetë vit i ndryshimit dhe fillimit të një qeverisjeje të ndershme, të përgjegjshme dhe në shërbim të interesit publik”, thotë Riad Rashiti, kryetar i PDK-së së Gjilanit.  /2LONLINE/.