DYLON

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës fillon edicionin e katërt të Shkollës Dimërore të Skijimit 2025 në Brezovicë

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës fillon edicionin e katërt të Shkollës Dimërore të Skijimit 2025 në Brezovicë
Avatar photo Redaksia

Federata e Sportit Shkollor të Kosovës (FSSHRK), në kuadër të programit “Drejt Malit”, ka filluar edicionin e katërt të Shkollës Dimërore të Skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Ky program synon të pajisë nxënësit me njohuri profesionale të skijimit, ashtu siç parashihet në Kornizën e Kurrikulës së Kosovës dhe mbështetet nga Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit(MASHTI), Ministrinë e Shëndetësisë(MSH) dhe Federatën e Skijimit të Kosovës.

EkoHigjiena

Në përputhje me objektivat e lëndës së edukatës fizike, programi ndihmon në arritjen e kompetencave kyçe, si zhvillimi i shëndetit, mirëqenies dhe aftësive motorike, duke integruar sportin malor si pjesë të rëndësishme të edukimit.

Nxënësit pjesëmarrës dhe qëllimet e programit
Pjesëmarrës në këtë projekt janë rreth 1200 nxënës të klasave të 7-ta nga shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë nga 7 regjionet e Kosovës, të ndarë në 10 grupe, ku çdo grup do të ndjekë programin një-javor të organizuar në muajt janar, shkurt dhe mars 2025.

Qëllimet kryesore të programit përfshijnë:

Mësimin e skijimit profesional: Trajnime nga trajnerë të certifikuar dhe me përvojë.

Promovimin e shëndetit dhe mirëqenies: Aktivitetet fizike në natyrë ndihmojnë në përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe mirëqenies fizike të nxënësve.

Zhvillimin e aftësive motorike: Nxënësit mësojnë dhe praktikojnë teknika të skijimit që forcojnë aftësitë motorike.

Edukimin mbi vlerat sportive: Nxënësit zhvillojnë bashkëpunimin, disiplinën dhe frymën ekipore.

Ndërgjegjësimin për mjedisin: Përmes aktiviteteve që zhvillohen në natyrë, nxënësit kuptojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Nxënësit pajisen me të gjitha materialet e nevojshme të skijimit dhe marrin pjesë në një mjedis të sigurt e mbështetës. Për më tepër, programi garanton gjithëpërfshirje, duke përfshirë nxënës nga qendrat burimore, për të promovuar barazinë në edukimin sportiv…. /2LONLINE/