Rruga deri te Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
Shkruar nga Visar Sadriu
(2L ONLINE) – Kuvendi i Vlorës dhe shpallja e pavarësisë së Shqipërisë kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve, por edhe të publikut të gjerë, për rëndësinë dhe përmbajtjen historike, si mbledhja që hodhi themelet e shtetit shqiptar, të Shqipërisë së “mosvarme”, siç e thotë vetë Akti i Shpalljes së Pavarësisë. Më vonë, janë të shumtë studiuesit që u morën me shpalljen e pavarësisë dhe aspektet e shumta të asaj ngjarjeje madhore. Ndër ta do të veçonim punimin monografik të Bardhosh Gaçes “Ata që shpallën pavarësinë kombëtare” ku jepen procesverbalet e Kuvendit, jetëshkrimet e pjesëmarrësve, si dhe kujtimet e shumë prej figurave të shquara të kohës. Ka pasur vazhdimisht në dhjetëvjeçarët e fundit vërejtje, mospranime të pranisë së personave të veçantë në atë Kuvend si firmëtarë apo pjesëmarrës, me mjaft gjasë si pasojë e paragjykimeve politike.
Zhvillimet e luftës së parë Ballkanike, të shpallur në tetor 1912 nga shtetet ortodokse të “Aleancës ballkanike” e që kishin për qëllim copëtimin e tokave shqiptare, përshpejtuan aktivitetin diplomatik të Ismail Qemalit. Nëntori i vitit 1912 i gjeti trojet e shqiptarëve si fushë lufte; nga veriu sulmuan trupat serbo-malazeze dhe rezistenca e ushtrisë së rregullt turke, rezervistëve e, bashkë me ta, edhe vullnetarët shqiptarë, nuk arritën t’u bënin ballë. Në jug, në territoret e prefekturës së Janinës, po luftohej me ushtrinë greke, ndërsa në lindje trupat bullgarë. Në kurriz të shqiptarëve të gjithë përpiqeshin të copëtonin atë që kishte mbetur nga Turqia e xhonturqve. Në të tilla rrethana atdhetarët nuk qëndruan duarkryq e të bënin sehir por u lidhën me njëri-tjetrin kudo që ishin dhe vendosën t’i dilnin zot atdheut të tyre. Në kujtimet e tij Ismail Qemali jep një tablo të shkurtër të veprimtarive të atdhetarëve për mbrojtjen e atdheut. Ai tregon se, duke parë veprimet e “turqve të rinj” shqiptarët u ngritën në këmbë në kryengritjen e përgjithësime që triumfoi me hyrjen e tyre në Shkup. Por fillimi i Luftës Ballkanike i bindi shqiptarët, siç vëren Ismail Qemali, “që të marrin masa të rrepta për shpëtimin tonë”.
Kështu, më 3 nëntor 1912 Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi, u nis nga Stambolli për në Bukuresht ku u takua me shqiptarët e shquar të kolonisë dhe së bashku vendosën të kthehen në Shqipëri për të mbajtur një mbledhje të përgjithshme e të shpallnin Pavarësinë. Prej andej Ismail Qemali me shokë shkuan në Vjenë e Budapest ku pati takime në nivel të lartë me ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Berthtold, dhe siguroi përkrahje për Shqipërinë e pavarur. Ismail Qemali nga Vjena më datë 9 nëntor njofton me telegram se është nisur për në Shqipëri “me të parin vapor”. Ai bën të qartë se “E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt”. Më datë 18 nëntor Paria e Vlorës merr një telegram nga Ismail Qemali, i cili u thotë se “Përpara së premtes jam atje. E mbledhja e përfaqësuesve në Durrës apo në Vlonë është krejt e nevojshme. I thirni të gjithë. Gjer sa të mbërrijë un, mbani qetësinë e bashkimin. Çashtja jonë politike u sigurua fare.” Ky njoftim, me një telegram të firmosur “ N’emër të gjithëve” nga Xhemil Bej Vlora, Elmas Kanina e Leonidha Bezhani, ju dërgohet: Kryetarëve të bashkive e të Klubeve, Parësisë dhe Popullit të ndershëm të Janinës, Gjirokastrës, Filatit, Reshadies, Tepelenës, Delvinës, Përmetit, Margëlliçit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Dibrës, Manastirit, Resnies, Kosturit, Strugës, Ohrit, Beratit, Pogonit, Skraparit, Lushnjës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit, Shkodrës, Peqinit, Fierit. Në atë njoftim ata ju thonë “Lutemi për shpëtim të atdheut, që përfaqësuesit në fjalë tyke e bamë natën ditë të gjinden në mbledhjet të Përgjithshme Kombëtare që do të bahet këtu në Vlonë”.
Në botimin e Lef Nosit jepen shkëmbimet e shumta telegrafike për përgatitjet, dërgesën e mjeteve të transportit në Durrës, njoftimet për emrat e përfaqësuesve nga gjithë viset shqiptare, ku veç atyre të krahinave që u përmendën më lart, nga një telegram i firmosur prej Mid’hat Frashërit mësojmë për delegatë që do vijnë nga Kosova. Thuhet se do vinin dhe të tjerë, por, për shkak të pushtimit serb, angazhimit në luftime dhe arrestimeve të krerëve nuk mundën të vinin.
Patriotët shqiptarë në Bukuresht me kohë kishin përgatitur flamurin kombëtar, i cili do të ishte simboli i shtetit shqiptar si dhe një bandë(korë) muzikore, që do të këndonte himnin kombëtar.
Gjatë muajit tetor dhe gjysmës së parë të nëntorit 1912 Ushtria turke në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet, ndërsa trupat ushtarake serbe, malazeze dhe greke që përbënin “aleancën ballkanike”, përmes operacioneve shfarosëse ndaj shqiptarëve, kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Meqë ngjarjet zhvilloheshin me shpejtësi në Shqipëri, delegacioni shqiptarë bëri përpjekje që sa më parë të nisen për në atdhe, që të mbahet kuvendi kombëtar për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Me kërkesën e Ismail Qemailit, diplomatët austro-hungarez ia premtuan një vapor delegacionit shqiptar për të zbarkuar në Durrës.
Sapo ishte kthyer në Vjenë (nga Budapesti), delegacioni shqiptar pati takime me Ambasadorin italian (Avana) dhe ambasadorin anglez. Më 18 nëntor 1912, delegacioni mbërriti në Triesht dhe po atë ditë Ismail Qemali i drejtohet me një telegram komitetit përgaditor për shpalljen e Pavarësisë, dhe kërkon që të sigurohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit, për Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që mendohej të mbahet në Durrës ose në Vlorë. Në këtë telegram thuhej: “Mbledhja e përfaqësuesve në Durrës apo Vlorë është shumë e rëndësishme. I thirrni të gjithë. Gjersa të arrij unë, mbani qetësinë e ruani bashkimin. Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht”.
Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, gazetës italiane “Piccolo”, i deklaroi se: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”.
Në mbrëmjen e 19 nëntorit 1912, përfundimisht delegacioni shqiptar në krye me Isamail Qemalin, me vaporin austriak “Baron Bruck” nga Trieshta niset për Durrës. Më 21 nëntor Ismail Qemali dhe pasuesit e tij zbarkuan në Durrës, pasi iu nënshtruan kontrollit të personelit të dy anijeve luftarake greke që kishin bllokuar portin. Në Durrës ndenjën një ditë për të biseduar me popullsinë e atyshme për shpëtimin e atdheut, por pasi nuk pati pritjen e duhur u dërguan telegrame Parisë së Beratit dhe Elbasanit, që të bëhej Vlora qendër e mbledhjes. Këtë e mësojmë edhe nga një telegram me datën 25 nëntor 1912 (12 vjeshtë e tretë 1328 H), që Prefekti i Durrësit Mahir i dërgon Komandës së Trupit Ushtarak në Janinë dhe Portës së Lartë, ku thuhet se Ismail Qemali ka zbritur në Durrës ditën e parë të Bajramit. Prej andej erdhi urdhri që ta arrestonin dhe Ismail Qemali me shoqëruesit e vazhduan udhëtimin në brendësi të vendit. Siç dihet, ata mbërritën në Vlorë më datë 25 nëntor dhe caktuan të mblidhen më datë 28, ditë e enjte, siç na kumton Qemal Bej Karaosmani, që të mund të mblidheshin gjithë delegatët. Letërkëmbimi tregon se Pavarësia tashmë ishte e vendosur dhe dy ditët e fundit atë e shpallën, duke ngritur flamurin kuq e zi me shkabën dykrenore, qytetarët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Kavajës, Peqinit e Lushnjës.
Kuvendi i hapi punimet, më 28 nëntor 1912 në orën 14 pasdite, po në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës. Kryetar i Kuvendit u zgjodh Ismail Qemali dhe sekretar Luigj Gurakuqi. Në fjalën e shkurtër që mbajti Ismail Qemali para 40 delegatëve, të përcjellur me duartrokitje të gjata e brohoritje entuziaste “Rroftë Shqipnija e Lirë”, foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.
Propozimi i kryetarit për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, u miratua njëzëri nga delegatët. Në Rezolutën e Pavarësisë me titull: “Në Vlonë më 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912”, të cilën e lexoi sekretari i parë i kuvendit Luigj Gurakuqi thuhet:“Pas fjalëve që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vete, e lirë e e mosvarme”.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës pas vendimit historik të shpalljes së Pavarësisë, u mor me organizimin shtetëror. Qysh në mbledhjen e tij të parë, kuvendi vendosi për krijimin e qeverisë së parë të përkohshme. Më 4 dhjetor 1912 Kuvendi zgjodhi përbërjen e plotë të Qeverisë me në krye Ismail Kemal Beu.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali, më 29 nëntor me një letër i njofton gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu për këtë vendim Ismail Qemali i njofton edhe shtetet ballkanike, Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që të njihnin aktin e Pavarësisë si vullnet politikë të Kombit Shqiptar, por fatkeqësisht as Fuqitë e Mëdha dhe as monarkitë ballkanike nuk e njohën Pavarësinë e Shqipërisë. Përkundrazi ushtritë e “Aleancës Ballkanike” i vazhduan luftimet në tokat shqiptare për t´i pushtuar dhe aneksuar ato. /2L ONLINE/
