DYLON

LDK: Dëftesë me nota të dobëta për ekzekutivin e Gjilanit

LDK: Dëftesë me nota të dobëta për ekzekutivin e Gjilanit
Avatar photo Redaksia

Nënkryetari i LDK-së në Gjilan, Arbër Ismajli dhe anëtari i Kryesisë së Degës, Burim Berisha, kanë mbajtur konferencë për medie, duke paraqitur shqetësimet e degës për ndodhitë e fundit në Komunën e Gjilanit.

Nënkryetari i LDK-së, Ismajli ngriti shqetësimin për alarmimin që kanë dhënë Handikos, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve dhe qendra “Pema”, për pezullimin e aktiviteteve të tyre në mungesë të fondeve.

EkoHigjiena

“Ekziston një vendim i Kuvendit Komunal për ndarjen e një shume të caktuar për këto organizata, dhe pavarësisht vështirësive financiare, ky vendim duhet të zbatohet, sepse pezullimi i punës së këtyre qendrave nuk duhet të ndodh për asnjë arsye”,- tha nënkryetari Ismajli.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Degës, Burim Berisha tha se skandal i madh i qeverisjes komunale është edhe raporti i fundit i auditimit.

“Komuna e Gjilanit edhe këtë herë, si vitin e kaluar, është vlerësuar me Opinion të Kualifikuar, që nënkupton se ka pasur shkelje drastike nga ana e ekzekutivit në keqmenaxhim, keqklasifikim e keqpërdorim të parasë publike. Rreth 6 milionë euro, në Komunën e Gjilanit, janë përdorur pa procedura ligjore, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. 29 gjetje vetëm këtë vit, asnjë përmirësim nga viti i kaluar, vetëm më keq, vetëm më rëndë”, ka thënë Berisha.

Ai shtoi se me këtë raport, Gjilani do të jetë edhe këtë vit dhe vitin e ardhshëm pa grant të performancës, pa mundësi të kredive për projekte madhore, e do të rangohet përsëri shumë poshtë në matjen e transparencës komunale.

“Si LDK, Komunën e Gjilanit e notojmë dobët, pa asnjë notë kaluese në asnjë fushë”, ka thënë Beirsha i LDK-së.   /2LONLINE/