DYLON

Morali, sekularizmi dhe toleranca

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Janë dy qasje në të cilat bazohet çfarëdo themelimi çfarëdo justifikimi i moralit. Morali teist dhe ai ateist. Natyrisht se kjo është  një ndarje ideale, prandaj në jetën reale pra në hapësirën mes këtyre dy ekstremeve, ka kombinime të ndryshme dhe të shumta  të manifestimit konkret dhe individual të moralit. Morali teist, në çfarëdo forme të manifestimit të tij, gjenezën, doktrinën  dhe  justifikimin e vet e bazon në  subordinimin e veprimeve morale konkrete të njeriut ndaj nënshtrimin e  tij ndaj vullnetit të Zotit. Nga ana tjetër, morali ateist e bën të kundërtën, kjo do të thotë se përcaktimi i asaj që e quajmë e moralshme, sipas tyre behet  pikërisht duke qenë i lirë ndaj nënshtrimit, qoftë edhe ndaj një qenie superiore siç e mendojnë apo argumentojnë teistët  si Zoti.

Duke qenë se jetojmë në një botë reale ku idealja e çfarëdo projekti apo synimi nuk është realizuar kurrë,  duke qenë se të gjithë jemi  qenie nga mishi dhe nga gjaku, pra qenie mëkatare sipas pikëpamjeve  teiste dhe qenie jo të përkryera që bëjmë gabime sipas ateisteve, teatri botërorë i manifestimit të moralit si karakteristikë e njeriut, por edhe e disa formave tjera të jetës shtazore,  manifestohet me llojllojshmëri të modaliteteve të ekspresivitetit dhe konkretizimit të jetës morale.

EkoHigjiena

Në qoftë se moralin teist dhe atë ateist i paramendojmë si dy antipode të kundërta të asaj që quhet univers moral, e kemi të qartë se sa shumë mundësi ekspresive ekzistojnë mes këtyre dy skajeve. Në fakt mendoj se shumica e njerëzve janë  diku në mes këtyre dy poleve. Ideja është se edhe moralisti më i madh teist ka fragmente ateizmi, dhe vice vesa, edhe ateisti më i madh ka premisa morale teiste.

Forma ideale e një moralisti teist do të ishte asketi, ndërsa forma ideale e një moralisti ateist do të ishte moralisti hedonist. Në fakt shumica e njerëzve edhe pse në përcaktimet verbale të tyre përcaktohen për njërën apo tjetrën variantë të justifikimit të moralit të tyre ata janë diku në mes. Kombinatorika  e formave të ndryshme të manifestimeve morale nga jeta konkrete në sferën individuale konsideroj se paraqet një  numër  të pa fundëm dhe të  pa njohur.  Llojllojshmëria e profileve tona individuale të manifestimit të moralit pra është e pakufishme, prandaj edhe ka shume qasje te ndryshme në të kuptuarit e botës. Pra uniformiteti moral duket se është i pa mundshëm.

Prandaj duke qenë kështu, dhe duke qenë se paqja dhe vazhdimi i jetës është konsensus  i çfarëdo morali i cili pretendon të jetë konsistent, është e qartë se teatri botërorë, apo skena ku luhen rolet e jetës reale, aty ku ne njerëzit nga mishi dhe nga gjaku, pra mëkatarë nga mëkati i lindur dhe  qenie që bëjmë gabime si diçka megjithatë normale për njeriun, duket se kemi një rol elementarë ku duhet të kontribuojmë. Ajo është toleranca.

Kjo do të thotë se, duke qenë se paqja dhe vazhdimi i jetës paraqesin konstituent të çfarëdo morali, atëherë ne duhet bërë marrëveshje. Kjo do të thotë se ne kemi të drejtë të jetojmë ashtu siç duam të përcaktohemi, duke e bazuar moralin tonë, në atë  që mendojmë se është kuptimësimi më i mirë i jetës sonë. Kjo do të thotë po ashtu se nuk ekzistojnë forma superiore apo inferiore të zhvillimit të jetës morale.

Në këtë kontekst, determinimi i kujtdo për të i takuar këtij apo atij morali nuk është për të u gjykuar. Për të u gjykuar është  çfarëdo imponimi në logjikën e superioritetit apo inferioritetit moral. Për të u gjykuar është çfarëdo brengosje se të tjerët se nuk kanë çka kërkojnë në botën tjetër, apo nuk kanë pse e jetojnë këtë botë  së koti duke shpresuar  në botën tjetër, pasi  që sipas tyre, nuk ka fare botë tjetër.

Pra detyrë e jona është të  realizojmë një shoqëri ku  pluralizmi moral do të ishte  emërtimi i përbashkët i cili do të siguronte sigurinë dhe dinjitetin e secilit,  duke mos u ndikuar fare nga fakti se një individ apo një grup paraqesin vetëm një fragment të vogël të një shoqërie.

Për aq sa ka të drejtë apo gabon një teist kur thërret në moralin e tij i cili bazohet në qenie mbinatyrore apo Zot, po aq ka të drejtë kur një ateisti kur e bën të njëjtën.

Sekularizmi nuk është religjion, por sekularizmi është krijim i kushteve ku garantohet jeta, liria dhe dinjiteti i individit, qoti ai i rrethuar nga të gjithë të tjerët që nuk janë si ai.  Ata të cilët nuk e kuptojnë këtë ndarje, ose janë religjioz dogmatik ose janë ateistë dogmatik të cilët pavetëdijshëm duan të krijojnë një religjion të ri.

Ka tregues se të këtillët janë ata të cilët kontribuojnë në diskutimet pa takt dhe  të pa artikuluara. Janë këta pseudo sekularist dhe pseudoteist,  që me qasje të pa sinqerta debatojnë lidhur me fetë, dhe rolin e tyre në shoqëri, dhe kështu shkaktojnë kakofoni e cila tregon profile mentale dhe  konceptuale jo të duhura  për të qenë pjesëtarë të një shoqërie sekulare, në të cilën nuk është primitivizëm të mësosh mësime fatare për botën e më pastajme, sikurse nuk është haram apo blasfemi të e mësosh teorinë e Darvinit apo edhe të mos mësosh fare doktrina religjioze.

Kjo është e mundur, në fakt është kusht  elementarë për një shoqëri tolerante andaj edhe sferë ku kontributi i ynë duhet të vjen në shprehje përmbajtësish.

Sami HALITI