DYLON

Konfliktet, këta rregullatorë social

Avatar photo Redaksia

Sami HALITI

(2LONLINE) – Paqja dhe konflikti. Cili është relacioni mes tyre? A është e mundur paqja apo ajo është rezultat i konflikteve paraprake? Pse nuk ka paqe të përhershme dhe pse ka konflikte sporadike në boten reale? Apo është e kundërta, përderisa ka paqe, atëherë ka edhe konflikte.  Sigurisht se paqja është gjendje dhe cak që duhet synuar e jo konflikti, por pse atëherë prishet paqja? A mos paqja ngërthen në vetvete konfliktin? A mos paqja është konflikt i heshtur, dhe konflikti paqe e pa realizuar. Gjithsesi se situata është jo edhe aq e thjeshtë, krahasuar me atë që duket në shikim të parë. Po të kishte paqe pa konflikte latente ajo nuk do të kishte arsye që të përmbyset, sikurse edhe konflikti po të ishte opsioni i duhur i veprimit social  atëherë nuk do të kishte kuptim të synohej paqja. Filozofi Herakliti  ishte në gjendje te shoh unitetin e të kundërtave, sikurse më pas  i tërë mendimi filozof dialektik.  Nocionet paqe dhe konflikt në vete (per se,  si aspekt metafizik i të kuptuarit) janë të vetëkuptueshëm, por depërtimi kuptimor empirik i tyre,  natyrisht është fjala për sferën empirike sociale, tregon diçka tjetër. Ky depërtim tregon se paqja  nuk është edhe aq paqe si dhe konflikti nuk është  edhe aq konflikt. Paqja mbërthen në vete konfliktin (konflikti latent)  dhe konflikti ka cak paqen (aspekti rregullativ). Konflikti social paraqet një nga fushat e  interesimit të shkencave sociale ku rezultatet e  hulumtimeve shpeshherë janë edhe jo konvencionale. Le të i shohim disa aspekte fragmentare.

EkoHigjiena

Cilësimi i konflikteve sociale si rregullatorë të shoqërisë së paku  duket i pa moralshëm. Shikuar nga një logjikë e shëndoshë e përditshmërisë, konstatimi se konflikti “është rregullatori  dhe esenca e jetës sociale” (Lewis Coser) duket absurd dhe i pa argumentueshëm.  Por, po të duam të jemi kritik  dhe objektiv, kjo d.m.th të e shohim të vërtetën në mënyrë racionale, mund të mos jetë kështu, ngase shohim se një qasje e këtillë shpjeguese megjithatë nuk është e pa argumentueshme  dhe as e pa vend. Le ta ilustrojmë këtë me një analogji e cila edhe përdoret nga Lewis Coser,  kur ai  merr shembullin e motorit me djegie të brendshme, ku dihet se pas krijimit të presionit nga djegia e derivateve vjen deri te   hapja e pistonit nga ku lirohen gazrat, të cilat e vënë në lëvizje makinën.  Shoqëria shikuar nga qasja e të kuptuarit dinamik, është sistem i cili vazhdimisht  pëson ndryshime  të cilat vijnë  si rezultat i antagonizmave në nivele të ndryshme të rrafshit social, apo grupeve shoqërore (Klanore,shtresore, profesionale, grupeve të interesit, klasore, nacionale religjioze etj) dhe si rezultat i kësaj kemi shpërthimin. Analogjikisht, sipas Lewis Coser  edhe në shoqëri kur kemi konflikte sociale ngjan kjo  dukuri e ndryshimit si pasojë e konflikteve. Dhe konfliktet sjellin ndryshimin sipas tij. Konflikti si i tillë paraqet gjendjen kur shkalla e komunikimit mes grupeve antagoniste nënkupton shkallën më të lartë të  aplikimit të violencës.

Fatkeqësisht jo përherë konfliktet qojnë në rregullime shoqërore pozitive apo në ndërrimin e gjendjes paraprake  e cila rezulton me ardhjen në pah të aspekteve rregullative pozitive. Sa më të mëdha të jenë dallimet mes palëve konfrontuese në aspektin e  diferencës së potencialit violent, proporcionalisht  ndryshmet pozitive janë më vogla. Janë një mori  shkencëtarësh social të cilët i shohin proceset shoqërore të këtilla, andaj edhe e theksojnë rolin e konflikteve sociale duke e nënvizuar anën rregullative të tyre. Në shqim të parë absurde, apo jo?  Le të  përmendim  në këtë kontingjent autorët si  Karl Marks, Maks Weberin,  Ralf  Dahrendorf, Lewis Coser, Randal Collins etj. Duhet theksuar se konflikti si i tillë, në vetvete (per se) është i keq, ai nuk është zgjedhja e preferuar për asnjërin  nga sociologët e përmendur, sikurse që nuk do të duhej të ishte  për as një njeri normal. Aspekti humanist  autorëve të përmendur nuk vihet në pikëpyetje.  

Por, observimet e tyre lidhur me fakticitetin  dhe objektivitetin  e  ndikimit rregullativ të konflikteve në shoqëri, është  emëruesi i përbashkët i cili  nënvizohet  nga ta.

Te Marksi kjo interpretohet si luftë klasash, e cila sipas tij paraqet forcën motorike të zhvillimit të formacioneve ekonomiko shoqërore përgjatë historisë (sipas tij progresive) njerëzore, histori kjo  e cila rezulton me krijimin e formacioneve ekonomiko shoqërore më të avancuara se ato paraprake, dhe krejt kjo vjen si pasojë e  zhvillimit të forcave prodhuese të cilat reflektojnë ndikime në marrëdhënie në prodhim. Me gjithë faktin se  marksizmi si teori në planin praktik ka pësuar fiasko, Karl Marks vazhdon të mbetet ende të jetë një ndër teoricientët më interesant të mendimit social në botën europerëndimore. Edhe Maks Weberi ka një interes të madh lidhur me studimin e konflikteve dhe dominimit. Ai kishte mësuar rusishten në mënyrë që të kishte mundësi të e përcillte revolucionin Rus. Interesin e tij lidhur me konfliktet sociale ai e ka  të orientuar në  mjetet metodologjike  të quajtura  “tipet ideale” të realizimit të pushtetit, ku identifikon katër tre të pushtetit (tradicional, karizmatik  dhe  racional) . Konstatimi i Weberit se “ne do të jemi përgjegjës se çfarë territori do u lëmë pasardhësve tanë”, është fjala për popullin Gjerman, flet se sa një përfaqësues tipik i mendimit  liberal demokratik, siç ishte Weber, ishte i preokupuar për aspektet territoriale, gjë që sot e kësaj dite nuk ka humbur nga aktualiteti si burim i konflikteve moderne. Sociologu Ralf Dahrendorf  ka një orientim  kryekëput në studimin  dukurisë të konflikteve shoqërore, duke u fokusuar në  format e konfliktit social në shoqërinë industriale dhe identifikimin e grupeve të ndryshme në kuadër të saj, të cilat janë  bartësit e  këtyre konflikteve, ku koncepti i kuazi grupeve dhe interesit latent dhe manifestues janë  shtresimet që i vë në pah. Sigurisht se ka edhe autorë të tjerë të pa përmendur sa i përket  konflikteve shoqërore, por autorët të cilët  ekskluzivisht u morën me studimin e fenomenit të konfliktit në shoqëri janë sociologët amerikan Randal Collins dhe Lewis Coser.

Të i kthehemi tani analogjisë që bëmë më motorin me djegie të brendshme. Shoqëria në këtë rast analogjikisht do e zinte vendin e motorit, përderisa konflikti do e luante rolin e pistonit, pasi që duke ndodhur konflikti ndodhë edhe ri pozicionimi mes palëve të cilët duan të zënë vend tjetër në kuadër të realitetit ekzistues shoqërorë. Zhvillimi i konfliktit sipas Lewis Coser qet në shesh aspektet disfunksionale  që janë  konsoliduar në shoqëri, të cilat si të tilla i mbajnë të ngrira apo statike  raportet shoqërore dhe si  të tilla nuk lejojnë zhvillimin  progresiv të  saj. Sigurisht se konflikti është i keq dhe sjellë viktima, ku humbja e jetëve njerëzore nuk mundë të justifikohet me asnjë rrethanë. Konfliktet shoqërore sjellin tragjedi , ato  sjellin shumë dhimbje në jetët tona. Por, le të e paramendojmë se si do të ishte dukur bota pa kryengritjen e Spartakut, pa revolucionin borgjez francez, pa rezistimin ndaj racizmit dhe kolonializmit, pa rezistencën ndaj fashizmit, apo luftën ndaj okupatorëve. Sigurisht se pas këtyre përparimeve në të pushtuarit e lirisë ka shumë humbje jetësh, kryesisht të pa fajshme dhe këto humbje  nuk mundë të kompensohen assesi, bile as të shpjegohen dhe interpretohen nga asnjë teori e cila do të pretendonte të jetë konsistente dhe të ngërthente  në vete premisa  morale të justifikueshme. Por, shkenca është e tillë, ajo gjithherë është objektive, apo së paku duhet të synoj të jetë ë tillë, andaj edhe evidencimi i fenomenit  në thonjëza “regulativ” për konfliktet shoqërore, duhet kuptuar si evidencim i ndryshimit real që ndodhë shoqëri, si pasojë e konflikteve, të cilat me sa duket, së paku bazuar në historinë e deritanishme të njerëzimit, duken të pa shmangshme  si duket nga vet natyra inherente  e njeriut. Por kjo assesi nuk duhet kuptuar si justifikim i luftës dhe justifikim i humbjes së jetëve.

Le të e konkretizojmë këtë qasje  shpjeguese në realitetin kosovarë, si një shoqëri e dalë nga  një konflikti shoqërorë, duke e eleminuar në këtë rast interpretimin me konotacion politiko-juridik se ishte luftë apo konflikt. Nga aspekti sociologjik kjo edhe nuk ka ndonjë rëndësi  substanciale (dallimi luftë –konflikt).   Nga aspekti sociologjik, konflikti apo lufta në Kosovë paraqet antagonizëm mes dy grupeve shoqërore, të cilat dallohen nga  dallimet kulturore dhe pretendimet diametralisht të kundërta territoriale. Fakti se njëri grup ishte dominant  ndaj tjetrit,  në këtë  rast  serbët ndaj shqiptarëve, nuk  e zbeh faktin se nga  aspekti  social strukturorë  që të dy këto grupe shoqërore ishin në faza të  fillestare të industrializimit dhe rrethanat  konkrete politiko ushtarake ndikuan që serbët të arrijnë të jenë dominues nga aspekti  ushtarak dhe gjeo-politik. Dominimi serb i cili zgjati afro një shekull, me gjithë zhvillimet partikulare pozitive, arriti që  të e mbajnë pistonin e mbyllur, pra  presoni social  nuk lejoi ndërrimin e status qos. Kjo mbajtje e status quos u manifestua me ngrirje të raporteve shoqërore dhe ngecje thuajse në të gjitha aspektet sociale. Se çfarë ishte situata kur një grup  ishte në trysni maksimale, shembull më ilustrues ishte Kosova  e para hyrjes së trupave të Natos, të cilët ishin faktori vendimtarë i cili e hapi pistonin e presionit social të cilin e mbante të mbyllur Serbia,  pasi që  UҪK  e kishte filluar e vetme këtë proces. Do e anashkalojmë aspektin ushtarak, dhe do të përqëndrohemi në  ndërrimet cilësore të cilat kanë ndodhur, të cilat ndërrime assesi nuk janë  as të mjaftueshme e as më të mirat të mundshme. Jemi katërmbëdhjetë vjet pas shpërthimit të këtij konflikti dhe pas ndërrimit të  situatave socialo politike (ndërrimi i pushteteve në Kosovë) dhe tani flasim për ndërtime shkollash, rrugësh, autostradash, flasim për privatizim dhe akomodim me ekonominë e tregut të lirë, flasim për  universitete private, e shumëçka tjetër. Gjithsesi se këto ndryshme nuk i mjaftojnë popullatës së Kosovës por megjithatë është një gjë të cilën duhet theksuar patjetër si rezultat i arritur, e kjo është fakti se sot të rinjtë shqiptarë në Kosovë, gjuhen serbe  e  ndiejnë aq të huaj sa edhe p.sh Rumanishten. Kombi  jugosllav nuk ishte projekt aq  naiv, ai kishte fillet dhe ithtarët e tij (thënë të drejtën të paktë) edhe në popullatën shqiptare të Kosovës. Nuk them se ende nuk ka ndonjë nostalgjik të tillë! Por, katërmbëdhjetë vjet pas  konfliktit serbo shqiptarë është krijuar një gjeneratë cila është kënaqshëm bilinguale, duke e pasur si  gjuhë të dytë një gjuhë botërore si gjuhen  angleze e jo gjuhen serbe. Dhe kjo gjeneratë pritet se do të komunikoj me bashkëmoshatarët e tyre serb, shpresojmë për të mirë, në gjuhën angleze.  Fakti se muzika serbe  e Cecës është shmangur nga hapësira jonë radio difuzive,  paraqet  treguesin më  të qartë i cili kualitativisht tregon ndërrimin e bërë nga konflikti serbo shqiptarë dhe konsideroj se kjo është arsye e mjaftueshme për të  festuar këtë Nëntor, si shenjë e tejkalimit të inferioritetit të shqiptarëve. Sigurisht se tani është e qartë se çfarë roli rregullativ ka pasur  konflikti serbo shqiptarë, pa mos harruar faktin se ku rregullim social është  rezultat i një de rregullimi human. Pa pretenduar të gjejmë ndonjë teori gjithëpërfshirëse  dhe konsistente  lidhur me këtë, themi se kombi shqiptarë (në Kosovë) po i bën hapat e vonshëm të maturimit  dhe po e  po merr përgjegjësinë e të qenunit  jo vetëm objekt, por edhe subjekt i  zhvillimeve dhe historisë së  tij. Natyrisht, shpresojmë se kjo do të bëhet duke e kuptuar faktin se ndryshimi social është i pandalshëm në shoqëri, dhe  e mira e të mirës do ishte të kemi konflikte permanente idesh të cilat do të rezultojnë më krijim e formave organizative sociale më të duhura për të u akomoduar me ritmet bashkëkohore sociale globale, të cilat i sfidojnë vet kombet. Mbarimi i një konflikti ndërnacional nuk do të thotë se nuk ka konflikte brenda nacionale, natyrisht nuk them se ka konflikte të përmasave violente. Në fakt as nuk konsideroj  që duhet pritur kurrë nj gjë të tillë. Ajo çka është me rëndësi të theksohet, është fakti se  duhet kuptuar se konfliktet  janë pjesë përbërëse e jetës sociale( Lewis Coser) dhe trajtimi i mirëfilltë i tyre vjen nga të kuptuarit të mirëfilltë të tyre. Mbulimi dhe  heshtja e konflikteve shpie në stagnacion dhe utopi sociale,  apo  në rritjen e presionit social, gjendje kjo e cila domosdo do të shpërthej. Në mënyrë që të kemi konflikte sa më të  kontrollueshme,  dhe sa më evolutive, duhet pasur një trajtim  të përgjegjshëm  dhe  jo paragjykues, dhe hapi i parë në këtë drejtim është  evidencimi dhe kuptimi i bazës së mirëfilltë të tyre e jo heshtja dhe mbulimi projektime në situata dhe periudha paraprake të cilat  nuk janë referenca adekuate se çfarë duhet bërë me konfliktet sociale.  Besoj se  paqja është e mundur duke i zgjidhur konfliktet ( conflict resolution), e kjo është e mundur duke u ballafaquar me to e jo duke  i neglizhuar apo manipuluar të njëjtat. Çka në fakt është Demokracia, pos një konflikt permanent social i cili  gjen zgjidhje pa violencë.  /2lonline/