/2L ONLINE/ – Janë shpërndarë sot 77 makina mjelëse për lopë, që kanë përfituar fermerët e komunës së Vitisë, në kuadër të projektit projekti për Aftësitë për Punësim Rural (APR) që financohet nga HELVETAS Swiss Intercooperation në bashkëpunim me komunën e Vitisë dhe Grupin Lokal të Veprimit “Vitia”.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Viti Veton Ademi, në hapje të këtij solemniteti ka njoftuar të pranishmit për projektet e realizuara nga ana e komunës së Vitisë në sferën e bujqësisë, blegtorisë etj., si dhe për donatorët që kanë mbështetur këtë fushë veprimtari. Ai ka thënë se ky është viti i tretë që komuna së bashku me donatorin Helvetas-in, po arrin të ndihmojë fermerët me shpërndarjen e makinave mjelëse.
Ndërsa kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, në fjalën e rastit ka thënë se ky projekt i dedikohet atyre që po vazhdojnë të kontribuojnë në veprimtarinë më të vjetër, në atë të blegtorisë.
“Ne ju kemi premtuar këtyre fermerëve të zellshëm, që do të ju ndihmojmë përmes subvencioneve, por ja që ky angazhim dhe përkushtim i yni, po mbështetet edhe nga organizatat e ndryshme që njëra prej tyre është Helvetas Swiss Intercooperation. Kur kemi mbështetje në bashkëfinancim, ne e rrisim edhe numrin e përfituesve të projektit, kështu që siq po shihet, sot po përfitojnë 77 fermerë, që do të ju mundësoj një zhvillim më të lehtë të kësaj veprimtarie.
Është viti i tretë që ne investojmë në sferën e prodhimtarisë së qumështit dhe pikave grumbulluese”, ka thënë Haliti. Ai ka premtuar se nuk do të ketë fermer profitabilë që nuk do të posedoj një makinë mjelëse, por edhe mbështetje të sektorëve të tjerë. /2L ONLINE/