7 Marsi- Dita e Mësuesit!
/2L ONLINE/ – Njëqind e njëzet e nëntë vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë, është ditë e shenjtë, ditë e bekuar nga zoti ,ditë e cila festohet në gjithë trojet shqiptare e kudo që jetojnë vëllezërit tanë që flasin e shkruajnë gjuhën tonë të ëmbël shqipe .
Robëria shekullore e popullit tonë, herë nen romakë, herë nën otomanë e herë nën sllavë, nuk na la të shohim dritë. Brez pas brezi e luftë pas lufte të përgjakshme kërkuam lirinë e vendit tonë që u kurorëzua me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATOS e miqve tanë, në radhë të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shteteve mike të Evropës.
Të nderuar veterane te arsimit,mesimdhenes,nxenes e prinder,
Ne, të gjithë së bashku, kujtojmë sot mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat shqipe,që na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun, na mësuan historinë dhe heroizmin e bijve e bijave të popullit tonë në epokat e historisë, na mësuan artin dhe kulturën, doket dhe zakonet, na e mësuan gjenezën tonë si populli më i vjetër i Ballkanit, kur këtu nuk kishte as sllavë as grekë. Ishin pellazgët, ilirët, shqiptarët.
Mësuesit shqiptarë, në çdo kohë e në çdo vend, kanë qenë dhe janë, jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë, ishin dhe janë patriotë dhe njerëz të emancipuar, atdhetarë dhe idealistë, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme të cilët i qëndruar besnikë misionit të tyre fisnik – arsimimin e brezave të rinisë sonë.
Mësuesit tanë nuk i gjunjëzoi as shpata as litari as burgu as pushka në asnjë periudhë e, as në vitet e ’90-ta për ta mbajtur gjallë misionin e shenjtë të tyre – arsimimin e fëmijëve tanë. Fuqia e tyre ishte mendja e ndritur, misioni i shenjtë , populli dhe liria e atdheut.
Lë të na kujtohet për një çast vitet 1990,kur fëmijët tanë u dëbuan nga institucionet shkollore dhe po përgatitej terrori e gjenocidi mbi shqiptarët e Kosovës. Arsimi nuk u ndërpre! Shtëpitë e popullit tonë u bënë vatra të kulturës dhe arsimit..
Prandaj ,sot, në emër të Drejtorisë së Arsimit, mësimdhënësve dhe nxënësve ju shprehi falënderim të gjithë atyre kryefamiljarëve, burrave trima të komunës sonë, që shtëpitë e tyre, në kohën më të vështirë, guxuan t’i shndërrojnë në shkolla për nxënësit tanë.
Sot sistemi i arsimit në Kosovë renditet me sistemet bashkëkohore të shteteve të Evropës. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë merret me zhvillimin e politikave të arsimit duke vënë në spikamë ngritjen e cilësisë në arsim, ngritjen e kapaciteteve të dijes së kuadrit mësimdhënës e menaxhues dhe përmirësimin e kushteve për zhvillim të proceseve mësimore në të gjitha nivelet e arsimit.
Meqë Arsimi Parauniversitar është kompetencë e komunave, kryetari z. Lutfi Hazirit, arsimin në komunën tonë e ka vënë si prioritet kryesor në qeverisjen e tij, duke investuar qindra e mijëra euro në infrastrukturën shkollore si : fusha sportive, salla të ed. fizike, kopshte të fëmijëve, renovime të objekteve, anekse shkollore, transportin e nxënësve, bursa për studentë e nxënës po edhe duke sjellë investime nga donatorët e jashtëm: USAID,BE-ja, TIKA , Caritasin sviceran, Sev the Children etj, që kapin shumen investimeve në vlerë mbi 1,532,230.00 euro për këto dy vite të qeverisjes se tij.
Shtatë marsin e ardhshëm do ta presim me realizimin e projekteve me prioritet që ka planifikuar DKA-ja: çerdhen në lagjen “ Dardania”, shkollën e arteve, çerdhe në lagjen ‘ Arbëria”, zhvillimin e procesit mësimorë në shkollën e re në fshatin Shurdhan, sallat e ed. fizike “ Liria “ në Pogragjë, dhe “ Abaz Ajeti “ , renovimet e shkollave fillore në Bresalc dhe në Përlepnicë e projekte të tjera.
Me gjithë nevojën për investime të vazhdueshme në pajisje në teknologji informative, kabinete, në ngritje profesionale të mësimdhënësve, rezultatet në arsimin gjilanas, fal angazhimit të mësimdhënësve e drejtorëve të shkollave dhe zyrtarëve të Drejtorisë së Arsimit, janë të dukshme në ngritje të cilësisë.
Këto vërehen në analizat e suksesit, testeve vlerësuese të semimaturës dhe maturës shtetërore, garat e ndryshme të nxënësve në nivel komune, republike dhe ato ndërkombëtarë, duke zënë vendet e para, të dyta e të treta. DKA-ja është mirënjohëse që këta garues janë shpërblyer me mirënjohje nga kryetari i komunës për nder të ditës së çlirimit të Gjilanit.
/Nazmi Musa – Drejtori i DKA-së në Gjilan/
