(2L ONLINE) – biznesmenët më të suksesshëm shqiptar të diasporës nga e mbarë bota, në kuadër të vizitës tre ditore në Kosovë, kanë zgjedhur sot ta vizitojnë qytetin e Gjilanit, ku janë pritur ngrohtësisht nga kryetari Lutfi Haziri.
Takimi është organizuar në “Vali Ranch” nga Ministria e Diasporës, ku i pranishëm ka qenë edhe mistri Ibrahim Makolli.
Në fjalën e rastit, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ka falënderuar përfaqësuesit e rrejtit të bizneseve më të fuqishme në botë që kanë zgjedhur Gjilanit për vizitë, duke thënë se kemi nevojë për të na treguar përvojat, sfidat dhe sukseset e të bërit biznes.
“Jam i nderuar që në kuadër të vizitës tre ditore e keni zgjedhur Gjilanit. 32 për qind e Gjilanit jeton sot kryesisht në Europë, SHBA, Kanadë e gjetiu. Njerëzit tanë kudo në diasporë kanë arritur që me mund të madh, me punë dhe konkurrencë të madhe të bëhen njerëz të suksesshëm dhe të bëhen referencë për të mirë për shtetet ku jetojnë. Ju që keni arritur sukses kaq të madh, e di që iu është dashur të punoni dhe të luftoni shumë herë më shumë se vendasit kudo që janë për t’i arritur objektivat tuaja”, ka thënë Haziri.
“Ju jeni heronj sepse e keni ndarë sofrën, magjen, dhe paranë duke kontribuar me të gjitha potencialet për vendin tonë. Tashmë, shumë familje përfitojnë nga puna dhe suskesi juaj. Ju e keni ndarë kuletën me popullin dhe kjo tregon për zemërgjerësinë tuaj. Ju falënderoj për gjithcka që keni bërë për këto dekada për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Ju lutem përvojën tuaj ndajeni edhe me ne sepse Kosova ka nevojë më së shumëti për përvojë të mirë”, ka shtuar kryetari i Gjilanit.
Nga ana e tij, ministri i Diasporës, ka thënë se 55 përfaqësuesit e rrjetit të bizeneseve më të fuqishme në botë e kanë mundësinë që gjatë këtyre pesë ditëve të krijojnë kontakte, të shohin të arriturat dhe sfidat që ballafaqohen kolegët e tyre nga bizeneset kosovare.
Ai tha se Kosova jeton me ndihmën e shqiptarëve të diasporës, duke potencuar shumën prej 1 miliard eurosh që hynë në vit nga diaspora.
Pronari i “Vali Ranch” Fehmi Fetahu është shprehur tejet i lumtur që janë mbledhur këta biznesmenë në Gjilan, meqë edhe vet i takon këtij grupi.
Në emër të bizneseve të diasporës ka folur Nazar Mehmeti, i cili e zhvillon veprimtarinë e biznesit të tij në Teksas të SHBA-ve, ndërsa ka falënderuar për institucionet e Kosovës për organizimin dhe pritjen, duke thënë se “Kosovën e çliruam së bashku dhe do ta zhvillojmë së bashku”./2l Online/