52 të dënuar në QKD përfshihen në programet e risocializimit
Në Qendrën Korrektuese në Dubravë, 52 të dënuar janë duke ndjekur programe të risocializimit, të cilat synojnë zhvillimin e aftësive personale dhe sociale, menaxhimin e sjelljeve, marrjen e përgjegjësisë dhe përgatitjen për riintegrim të suksesshëm në shoqëri pas lirimit.
Në mesin e programeve të zbatuara është “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, me kohëzgjatje gjashtëmujore, i bazuar në modelin Duluth. Ky program synon ndryshimin e modeleve të mendimit dhe sjelljes, zhvillimin e aftësive njohëse dhe marrjen e përgjegjësisë për sjelljet e dhunshme, duke promovuar marrëdhënie të shëndosha dhe një shoqëri pa dhunë.
Gjithashtu, zbatohet programi “Menaxhimi i Zemërimit”, përmes të cilit pjesëmarrësit mësojnë të identifikojnë dhe menaxhojnë emocionet dhe impulset, të përballojnë situatat konfliktuoze në mënyrë konstruktive dhe të zhvillojnë forma më të shëndosha të komunikimit me të tjerët.
Një tjetër program është “Vendimmarrja Sociale”, i cili fokusohet në zhvillimin e mendimit kritik, reflektimit moral dhe aftësive për marrjen e vendimeve të përgjegjshme. Përmes diskutimeve, metodave interaktive dhe analizës së rasteve konkrete, pjesëmarrësit nxiten të vlerësojnë alternativat dhe pasojat e vendimeve të tyre, si dhe ndikimin që ato kanë te vetja dhe te të tjerët.
Zbatimi i këtyre programeve realizohet nga stafi profesional për programe të risocializimit, përmes një qasjeje të strukturuar që mbështet ndryshimin pozitiv, përgjegjësinë personale dhe zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për një jetë të përgjegjshme pas lirimit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të investojë në rehabilitimin dhe risocializimin e të dënuarve, duke synuar jo vetëm përmbushjen e qëllimit të dënimit, por edhe krijimin e mundësive për riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri. /2LONLINE/
