DYLON

40 nxënës të Gjimnazit të Gjilanit mysafirë te Ilir Meta

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – 40 nxënësit më të suksesshëm të Gjimnazit Natyror të Gjilanit kanë vizituar Shqipërinë, me ftesë të kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, të cilit Qyteti i Gjilanit i pati bërë nder të madh kur e pati shpallur qytetar nderi në prag të festës së flamurit vitin e kaluar.

Kryeparlamentari shqiptar për katër ditë me radhë, ka mirëpritur nxënësit më të mirë, tre mësimdhënës dhe drejtorin e shkollës, që kanë kaluar ditë të paharrueshme në Shqipëri.

EkoHigjiena

Meta edhe njëherë ka ripërsëritur se mes Shqipërisë e Kosovës është krijuar një frymë vëllazërore bashkëpunimi e për Gjilanin ka thënë se është një shembull i tolerancës, integrimit dhe kulturës politike.

“Gjilani i udhëhequr nga kryetari Lutfi Haziri ka treguar kulturë emancipuese dhe është treguar edhe shumë solidar edhe rreth mbrojtjes së shqiptareve të Kosovës Lindore”, ka thënë Ilir Meta, që është angazhuar për bashkëpunimin në fushën universitare, ekonomike, bujqësore e fusha të tjera dhe ka shtuar se mbetet i nderuar që Gjilani atë e ka shpallur qytetar nderi.

Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror në Gjilan, ka theksuar se nga secila klasë e shkollës ishte zgjedhur nxënësi më i mirë dhe ata që kishin pasur aktivitet e suksese në gara të ndryshme dhe edhe sipas kërkesës së kryeparlamentarit, Ilir Meta, kishte nxënës edhe nga komunat e Luginës së Preshevës dhe nxënës të familjeve të dëshmorëve. Në realizimin e kësaj vizite është angazhuar edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Nxënësit vizituan Beratin dhe kalanë e lashtë, Durrësin, Gjirin e Lalsit, Shëngjinin, Lezhën, Shkodrën e lokalitete të tjera historike në Shqipëri, kurse ata janë pritur edhe nga kryeparlamentari i Shqipërisë, Ilir Meta, deputetet e LSI-së Monika Kryemadhi, Kejdi Mehmetaj, sikurse edhe nga ambasadori Qemal Minxhozi e historiani Koço Dane.

Këngët e vjetra shkodrane, humori i artistëve të “Portokallisë”, poezitë e nxënësve gjilanas, pikturat e shkëmbyera e miqësitë e reja gjatë do të mbeten në kujtesë, kurse kjo miqësi veç sa është trashur, ngase pati edhe ftesa të reja për vizita të ndërsjella./2L ONLINE/