Në 110 vjetorin e themelimit të Rotarit në botë dhe 10 vjetorin e zyrtarizimit të Rotarit në Kosovë, dita e 28 prillit është shpallur Ditë e Rotarit në Kosovë kur për vizitë në Kosovë do të jetë edhe njeriu i parë i Rotarit të botës, kryetari Gary Huang.
Sipas një njoftimi, me këtë rast do të organizohen aktivitete të shumta të rotarianëve në dy sheshet kryesore të Prishtinës ’Nëna Tereze” dhe ”Zahir Pajaziti”.
“Rotari është një organizim i personave profesionistë dhe të biznesit, të bashkuar anembanë botës që kryejnë shërbime bamirëse, inkurajojnë standarde të larta etike në të gjitha lëmitë dhe ndihmojnë mirëqenien dhe paqen në botë”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit, themeluesi i Rotari klubit të parë në botë ka qenë Paul Harris nga Çikago (Sh.B.A.) në vitin 1905 – ky vit konsiderohet si ditëlindje e Rotarit, ndërsa Paul Harris si themeluesi i Rotarit.
Në botë aktualisht ka më se 1.200.000 rotarianë në mbi 195 shtete të botës.
Aktivitetet e Rotarit janë jopolitike dhe joreligjioze, ndërsa mision i rotarianëve është ”shërbimi përtej vetes”.
Projektet rotariane bëhen ekskluzivisht me qëllime bamirëse kryesisht në lëminë e shëndetësisë dhe edukimit.
Projekti më madhor i rotarianëve në nivel botëror gjithsesi është projekti ”Polio” me të cilin një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë poliomieliti (paraliza e fëmijëve) është gati të çrrënjoset krejtësisht në rend të parë falë rotarianëve që gjer tani kanë kontribuar me më shumë se 1 miliardë dollarë dhe me shumë punë vullnetare.
Aktivitetet rotariane në Kosovë kanë filluar qysh nga viti 2000 kur rotarianët e Gjakovës kanë nisur një bashkëpunim me klubet Rotaringa Britania e Madhe, ndërsa klubi i parë i zyrtarizuar është Klubi Rotari Peja që është aktiv që nga viti 2005.
Aktualisht në Kosovë janë 11 klube Rotari, 4 klube Rotarakt (mosha 18-30 vjeç) dhe 1 klub Interakt (të rinjtë deri në moshën 18 vjeç).
Rezultatet e angazhimit Rotarian në Kosovë gjatë 15 viteve në aspektin financiar e tejkalojnë shumën prej 4-5 milionë euro, dhe gjatë kësaj periudhe me ndërmjetësimin rotarian janë operuar nga zemra jashtë Kosovës mbi 40 fëmijë, janë sjellë me dhjetëra automjete për zjarrfikje dhe autoambulanca, është instaluar uji i pijshëm në dhjetëra shkolla dhe janë sjellë shumë pajisje e ndihma për komunitetet në nevojë gjithandej në Kosovë.