DYLON

26 vjetori i Betejës së Zhegocit (15 prill 1999)

26 vjetori i Betejës së Zhegocit (15 prill 1999)
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Shemsi Syla

Beteja e Zhegocit ka rëndësi të veçantë për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë shënon përfshirjen e tërë territorit të Kosovës në flakën e luftës frontale të UÇK-së me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.

EkoHigjiena

Okupatori serb, para se të nisej në ofensivë kundër forcave të UÇK-së në Malësinë e Zhegocit, duke përdorur dhunë të shfrenuar, kishte ndërmarrë një fushatë të egër të masakrave dhe spastrimit në fshatrat e Anamoravës.

Më 2 prill 1999, forcat armike sulmojnë fshatrat Lladovë, Llashticë, Zhegër, Shurdhan, Stançiq, duke lënë dhjetëra e qindra të vrarë e të plagosur nga popullata civile dhe, kështu, me një veprim strategjik, neutralizuan njërën nga kanalet e furnizimit – Grykën e Shurdhanëve – që lidhej me Malësinë e Karadakut të Kumanovës.

Nga shtëpitë e tyre larguan edhe popullatën e Përlepnicës dhe fshatrat përreth. Larguan popullatën e Malishevës, të disa pjesëve të qytetit të Gjilanit dhe fshatrave përreth Malësisë së Zhegocit: Cernicë, Gumnishtë, Kravaricë, Kishnapolë, Sllakoc, deri në Gadish.

Më 10 prill kishin sulmuar fshatin Bresalc, si pikë strategjike, për ta spastruar terrenin para sulmit në Zhegoc. Me mjete të shumta ushtarake – tanke, praga, autoblinda dhe njësi speciale ushtarake e policore – ushtruan dhunë, represalje, plagosje dhe vrasje. Në tërheqje, plaçkitën e shkretonë gjithçka, por atë që nuk e morën me vete, ia vunë flakën, duke e bërë shkrumb e hi çfarë gjetën përpara. Në prag të shtëpive të tyre lanë tre të vdekur e shumë të plagosur.

Në mbrëmjen e asaj dite, njësiti i UÇK-së kishte nxjerrë dhjetëra të plagosur nga zona e armikut dhe i kishte shtrirë në spitalin ushtarak në Zhegoc, ku të gjithë u operuan dhe më vonë u shëruan me sukses.

Natën, ndërmjet 14 dhe 15 prillit, Serbia sulmoi fshatrat Uglar, Pogragjë, Sllubicë, Llovcë, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur, ndërsa Rahovicën dhe një pjesë të Preshevës i rrethoi edhe me autoblinda dhe tanke, duke pamundësuar edhe kanalin tjetër të furnizimit.

Pas gjithë këtij shfrenimi fashist të spastrimit të shqiptarëve përmes tokës së djegur në Anamoravë, hordhitë serbe, në mëngjesin e 15 prillit, ia mësynë Malësisë së Zhegocit – atje ku UÇK-ja kishte zonat e lira të veprimit dhe ku po stërvitej e kalitej për përballjen e madhe. Nga ky vend do të jehojnë e gjëmojnë pushkët e lirisë nga duart e rinisë heroike me betimin: “Ja vdekje, ja liri”.

Aktet heroike të luftëtarëve në luftime, sakrificat e shumta të martirizimit dhe dëmet e mëdha që i shkaktohen armikut e bëjnë luftën e Zhegocit njërën nga betejat më të rëndësishme dhe më të suksesshme të UÇK-së.

Beteja e Zhegocit ka rëndësi të veçantë për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë shënon përfshirjen e tërë territorit të Kosovës në flakën e luftës frontale të UÇK-së me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.

Në këtë betejë, armiku synonte rrethimin e befasishëm dhe asgjësimin e efektivit të UÇK-së, që ishte i vendosur në Malësinë e Zhegocit. Shtabi i Zonës ishte i vendosur në Zhegocin e Poshtëm, ndërsa efektivi i Brigadës 171 “Kadri Zeka” ishte i shtrirë në tërë Malësinë e Zhegocit.

Forcat serbe, me qëllim të arritjes së synimeve të tyre, qarkuan bazat e UÇK-së në një rreth të gjerë, nga të katër anët. Gjatë tërë natës së 14 prillit 1999, ato u pozicionuan në fshatrat: në veri – Kishnicë, Brus e Honorc; në lindje – Llabjan, Parallovë e Bresalc; në jug – Gadish dhe Ponesh; kurse në perëndim – Sllovi dhe Akllap.

Kështu, mëngjesi i 15 prillit filloi me manovrime psikologjike, duke bërë zbarkime të mijëra trupave ushtarako-policore dhe të teknikës së rëndë luftarake në vende të dukshme, me qëllim të krijimit të panikut në popull dhe presionit psikologjik ndaj ushtarëve të UÇK-së.

Njësitet vëzhguese kishin sjellë të gjitha informacionet për ndërmarrjet e armikut. Konform gjendjes së krijuar, ende pa zbardhur mirë dita, komandant Shaqa mbledh Shtabin duke i njoftuar për situatën dhe ndan detyrat luftarake…

Nga ky moment, Zona e Karadakut hyri në luftë frontale me forcat serbe.

Luftimet filluan te Hanet e Zhegocit, ku njësitet pararojë të UÇK-së ballafaqohen në një luftë të rreptë me forcat armike. Në këtë ballafaqim, u vranë disa ushtarë dhe policë serbë dhe u shkatërrua një numër i mjeteve teknike të armikut.

Në këto luftime ra dëshmori i parë në betejë, luftëtari trim dhe i patrembur i orëve të para të organizimit të UÇK-së në ZOK, Pajazit Ahmeti. Pranë tij u plagos Afrim Myrtaj, i cili mori nëntë plagë. Shokët që luftonin në një pikë të afërt, nën breshërinë e plumbave të armikut, arritën t’i afrohen dhe ta tërheqin me sukses.

Në një pikë tjetër të frontit, pas një lufte heroike, në panteonin e dëshmorëve bashkohet edhe Alban Ajeti – luftëtari simbol i rinisë heroike – kurse ushtari Fadil Qerimi plagoset dhe, i ndihmuar nga shokët, arrin të tërhiqet.

Lufta kishte arritur kulmin në ballafaqim të rreptë me armikun. Luftëtarët trima të vijës së parë ishin bërë digë e pakalueshme. Armiku shtonte sulmet. Kërkonte përforcime. Malësia ishte shndërruar në arenë të përgjakshme lufte.

Në këto çaste të bërjes së historisë, rënies dhe flijimit sublim në altarin e lirisë, po i shtoheshin edhe Nushja e Tefiku – dy bashkëshortë dhe shokë ideali, veprimtarë të hershëm të rrugës së Xhevë e Fehmi Lladrovcit.

Bashkë me ta ranë edhe dëshmorët Ramadan e Shaban Hyseni.

Beteja e Zhegocit njihet, pos heroizmit të treguar në luftë me armikun, edhe për aktet më humane në përkujdesjen dhe ndihmën ndaj të plagosurve, të hendikepuarve, pleqve, grave e fëmijëve. Jo më pak se tetë mijë banorë mbroheshin nga UÇK.

Forcat e UÇK-së, përveç përpjekjeve ballore me armikun, i cili numerikisht ishte shumë herë më i madh, kishin edhe mbrojtjen, përkujdesjen, zhvendosjen dhe evakuimin e popullatës civile nga zonat ku luftohej.

Në sajë të rezistencës së njësive të UÇK-së të vendosura te Hanet e Zhegocit, arrihet që të përfitohet në kohë për të bërë zhvendosjen e popullatës në drejtim të Gadimes, fshat i cili ende nuk ishte i përfshirë në luftime.

Pas humbjeve që forcat serbe pësuan në përleshje me UÇK-në, ato filluan represaliet dhe masakrat në popullatën civile, e cila ndodhej në fshatrat Sllovi, Vrellë – që ishin jashtë kontrollit të UÇK-së – por edhe në popullatën që nuk kishte arritur të zhvendosej.

Ushtarët e Brigadës 171 “Kadri Zeka”, të cilët morën pjesë në Betejën e Zhegocit, përkundër terrenit të vështirë dhe kushteve atmosferike shumë të rënda, tërheqin nga rrethimi të plagosurit bashkë me popullatën që e kishin nën mbrojtje, si dhe tërheqin edhe Spitalin Ushtarak, duke e zhvendosur në një vend të sigurt.

Duke u gjendur në një rrethim të plotë dhe në mungesë të municionit – si pasojë e bllokimit të të gjitha linjave furnizuese – komanda merr vendim për të çarë rrethimin dhe për të marshuar drejt Marecit, për t’i ardhur në ndihmë pjesës tjetër të efektivit të Zonës së Karadakut në Betejën e Marecit, e cila u zhvillua nga 18 prilli deri më 23 prill 1999.

Kështu, luftëtarët, të lodhur e të rraskapitur nga Beteja e Zhegocit, pa u çlodhur fare, por me moral shumë të lartë, përballen me një betejë tjetër edhe më të ashpër.

Në këto zhvillime dramatike të luftimeve, nëpër istikame të luftës e qëndresës, nëpër pika të vijës së luftës ranë edhe dhjetëra dëshmorë.

Në lulen e rinisë e të bukurisë, posa i kishte mbushur tetëmbëdhjetë pranvera, Zylfie Gashi u flijua për tri shkronjat e arta të UÇK-së.

Ende pa i mbushur gjashtëmbëdhjetë vjet, së bashku me babanë dhe xhaxhanë, ra Kastriot Baftiu.

Profesor Sahit Baftiu – edukues dhe pedagog i brezave – me rënien e tij u bë shembulli më i mirë i sakrificës për atdhe, bashkë me të vëllanë dhe të birin.

Mësuesi Nijazi Osmani, në luftë të pakompromis në mbrojtje të jetës së banorëve, ra për të mos vdekur kurrë…

Në vija fronti në luftë me armikun u flijuan luftëtarët,

Shahin Baftiu, Ilmi Hyseni, Feim Ajeti, Fadil Ajeti, Bashkim Ramadani, Ismet Ajeti, Fatmir Ademi, Blerim Ademi, Ismet Sadiku, Sherif Sherifi, Bahri Sadiku, Ibrahim Pacolli, Bajram Gashi, Gafurr Hyseni, Bejtush Gërbeshi, Enver Pacolli, Shiqeri Ajvazi, Mehmetali Ajvazi dhanë shembull të sakrificës, duke u bërë themel i fortë i lirisë.

Armiku serb, në shenjë hakmarrjeje për humbjet gjatë luftimeve me UÇK-në, ushtroi terror ndaj popullatës civile, duke vrarë mbi 20 banorë të Malësisë së Zhegocit dhe mbi 60 banorë në fshatrat përreth. Në Sllovi, ushtroi dhunë shtazarake në masakrën ku u vranë 50 qytetarë… /2LONLINE/