/2L ONLINE/ – Tani më është përmbyllur konkursi që kishte nxjerr Këshilli Drejtues i Teatrit të Gjilanit në bashkëpunim me Zyrën e kryetarit të Komunës , për 12 vende të punës-aktor, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Dhe tani pritet që përzgjedhja e aktorëve të bëhet nga Komisioni profesional i emëruar nga Këshilli Drejtues i Teatrit, përmes procedurës së audicionit.
Kujtim Shahiqi përgjegjës i Kulturës ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se konkursi është përmbyllë, në të kanë aplikuar 26 aplikantë, dhe sot parashihet të mblidhet Këshilli Drejtues i Teatrit , ku do të shohin dokumentet e pranuara, për të parë rregullsinë e tyre, dhe më pas do të përcaktohet edhe data se kur do të kemi audicionin dhe për këtë do të njoftohen aplikuesit.
Përndryshe, për shkak të punëve që po bëhen në fasadimin nga jashtë të objektit të teatrit, si dhe të meremetimeve të brendshme, për momentin janë pezulluar të gjitha aktivitetet e këtij institucioni. Shahiqi tha se po realizohen investimet nga Ministria e Kulturës në vlerë prej 88 mijë eurove, dhe derisa sa nga jashtë po bëhet fasadimi, përbrenda është duke u punuar në rregullimin e binës, punëve të sanitarisë, ndërrime të dritareve dhe dyerve, e punë të tjera. Duke iu referuar punëkryesit, ai pret se nga fundi i këtij muaji apo fillimi i muajit maj, do të përfundojnë këto punë. /2L ONLINE/