Në përvjetorin e 25-të të themelimit, Policia e Kosovës feston një çerek shekulli përkushtimi dhe shërbimi për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve. Ky përvjetor është një moment i veçantë që na fton të vlerësojmë përpjekjet dhe arritjet e shumta që kanë kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe më të qetë.
Në këto 25 vite, Policia e Kosovës ka dëshmuar një angazhim të palëkundur në mbrojtjen e rendit dhe ligjit, përballuar sfida të shumta dhe përmirësuar çdo ditë në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Në këtë përvjetor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët të bashkohen me ne në përkujdesjen dhe respektin për ata që shërbejnë dhe mbrojnë çdo ditë.
Në këtë ditë të veçantë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, njësitet dhe Stacionet Policore të kësaj drejtorie kanë pritur edhe shumë vizita si: nxënës, staf i shkollave, zyrtar të lartë komunal e qytetarë të ndryshëm të cilët kanë pasur mundësinë të njoftohen me punën dhe përkushtimin e stafit policor, dhe të shohin nga afër pajisjet dhe teknologjitë që përdoren për mbrojtjen e sigurisë publike. Pjesëmarrësit po ashtu kishin gjithashtu mundësinë të diskutojnë me oficerët e policisë në lidhje me sfidat dhe arritjet e tyre, aktivitet i cili është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar lidhjet mes qytetarëve dhe policisë, duke kontribuar në ndërtimin e një ambienti më të sigurt dhe më të besueshëm për të gjithë.
Policia e Kosovës me krenari feston përvjetorin e themelimit të saj duke qenë gjithmonë në shërbim të gjithë qytetarëve.
Urime 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës! /2LONLINE/