(2LONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani me bashkëpunëtorët ka pritur sot përfaqësuesit e Korpusit të Paqes, të kryesuar nga Stefen Katzi, drejtor. Korpusi i Paqes është organizatë amerikane e themeluar në vitin 1961 nga Presidenti Kenedi e cila merret me vullnetarizëm dhe qëllim të parë e ka ndihmën teknike për secilin shtet në botë që e kërkon atë.
Republika e Kosovës dhe SHBA-të kanë nënshkruar marrëveshje për programin e Korpusit të paqes, përmes të cilit 22 vullnetarë nga SHBA-të do të punojnë me mësuesit e gjuhës angleze në Kosovë për dy vite.
“22 vullnetarët do të vijnë në Kosovë në fillim të muajit Qershor dhe në e kemi vlerësuar Kamenicën si Komunën ku ata do ta kalojnë verën, dhe do të angazhohemi që ata të vendosen nëpër familjet shqiptare në dy fshatra të Kamenicës ku do ta kalojnë tërë verën. Këto familje do të kompensohen në mënyrë simbolike për qeran dhe ushqimin ndërsa qëllimi i tërë kësaj është që vullnetarët të mësojnë gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën shqiptare deri në shtator kur do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës” ka thënë Stefen Katzi.
Sinani i ka falënderuar për përzgjedhjen që i kanë bërë Kamenicës dhe ka shprehur bindjen se këta vullnetarë do të largohen nga Kamenica në shtator me përshtypjet më të mira. “Unë do të përcaktohem për një zyrtar komunal dhe ai së bashku me dy kryetarët e këshillave lokale do të jenë në kontakt të ngushtë me ju, në mënyrë që të përzgjidhen edhe familjet ku do të vendosen këta të rinj. Po ashtu për trajnimet dhe kursin e gjuhës shqipe ju do ta keni në dispozicion sallën e shtëpisë së kulturës” ka thënë Kryetari Sinani.
Ky projekt do të jetë një urë lidhëse më e fuqishme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve dhe po ashtu një mundësi shumë e mirë për Kamenicën që të pres 22 të rinj e të reja amerikane që do të jenë me ne gjatë verës ka thënë kryetari Sinani. /2lonline/